Gjykata e Apelit në Maqedoninë e Veriut ia uli dënimin ish ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska në katër vjet burg nga gjashtë vjet sa ishte dënuar në gjykatën e shkallës së parë. Ajo u dënua për shpërdorim të detyrës dhe mënyrës joligjore të blerjes së një veture të tipit Mercedes me vlerë prej rreth 600 mijë eurosh. Rasti qe zbuluar me publikimin e skandalit të përgjimeve para tre vjetësh. Në bisedat telefonike, mes tjerësh dëgjoheshin ish-minstrja e rendit dhe ish-kryemnistri Nikolla Gruevski duke biseduar për hollësitë se çka duhej të përmbajë vetura Mercedes S 600 Guard, e blinduar, që do të përdorej për nevojat zyrtare dhe private të zotit Gruevski.

Në këtë proces qe favorizuar një kompani maqedonase, për ta sjellë në Shkup makinën nga prodhuesi gjerman. Po për këtë u dënua edhe vetë z. Gruesvki me dy vjet burg, por vetëm pak ditë para afatit për t’u paraqitur për vuajtjen e dënimit, ai u arratis në Hungari ku iu dha strehim politik.

Gjykata e Apelit po ashtu i miratoi ankesat e ish drejtorit të shërbimit sekret, Sasho Mijallkov dhe të ish anëtarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Bedredin Ibrahimi për zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpie. Ata u dënuan para tre javësh me nga 3, përkatësisht 4.5 vjet burg për shkak të manipulimeve në procesin e zgjedhjeve në komunën e Strumicës, në juglindje të vendit, në vitin 2013. Për këtë rast u dënua edhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi me 3 vjet burg. Z. Thaçi aktualisht është depetutet në parlament dhe pjesë e koalicionit qeveritar dhe gjykata ende nuk ka kërkuar heqjen e imunitetit të tij prej ligjvënësi.

Në këtë proces gjyqësor u dënuan edhe tre ish anëtarë të tjerë të KSHZ-së me nga tre vjet burg.

Këto skandale të mëdha dolën nga bisedat e përgjuara telefonike të publikuara nga Zoran Zaev, atëherë si drejtues i opozitës. Kjo çoi në formimin e një Prokurorie të Posaçme, e cila ngriti akuza ndaj një numri ish-zyrtarësh të lartë shtetërorë për përfshirjen e tyre në korrupsion apo vepra të tjera penale. Megjithatë, kjo prokurori aktualisht është bërë çështje debatesh politike dhe mosmarrëveshjesh lidhur me të ardhmen e saj, me Lidhjen Social Demokrate në pushtet që këmbëngulë të vazhdojë si një departament i veçantë në kuadër të Prokurorisë Publike dhe opozitën maqedonase, e cila kërkon shpërbërjen e saj apo largimin nga pozita drejtuese e zonjës Katica Janeva./VOA