Në kuadër të fushatës sensibilizuese për mbledhjen e kontributeve financiare për vogëlushen 9-vjeçare Kejsi Prizrendi janë mbledhur deri tani në qytetin e Durrësit 4850 euro dhe rreth 17 milion lekë të vjetra.

Apeli për ndihmë i lëshuar nga koreografi i njohur Arjan Plaku, profesor baleti i vajzës së vogël, dhe publikimi i këtij rasti nga portali DurrësLajm ka vënë në lëvizje shumë shkolla, kopshte dhe institucione të qytetit, qytetarë, emigrantë dhe biznesmenë që kanë kontribuar me shuma të ndryshme për t’i ardhur në ndihmë familjes së vogëlushes që po mjekohet në spitalin e Padovës, në Itali, me sindromën mjaft të rrallë “Stevens and Johnson”.

Koreografi Plaku thekson për DurrësLajm se fushata sensibilizuese ka dhënë rezultat dhe të gjitha ndihmat monetare do të përdoren për kurimin e kushtueshëm të 9-vjeçares, e cila prej gati një muaji qëndron e shtruar në gjendje kome në spitalin italian.

Plaku falenderon nxënësit, prindërit dhe mësuesit e shkollave “Olsi Lasko”, “Rilindja”, “Mihal Ekonomi”, “Kushtrimi i lirisë”, “Migjeni”, “Leonik Tomeo”, “Naim Frashëri”, “Nënë Tereza”, “Vasil Ziu”, “Shaqe Mazreku”, “Vincens Prendushi”, “Gjergj Kastrioti”, “Jusuf Puka”, si dhe kopshtet “Sotir Noka” dhe “Do re mi” apo fëmijët e studios së baletit të drejtuar nga koreografi Plaku, që kanë dhënë ndihma të konsiderueshme monetare për Kejsin e vogël.

Jo të pakta ishin edhe institucionet shtetërore që ju bashkuan kësaj fushate në Durrës si Bashkia, Prefektura, ALUIZNI, dega rajonale e Sigurimeve Shoqërore, Zyra e Punës, OSHEE etj.

Plaku nuk harron të kujtojë edhe ndihmën e madhe që kanë marrë ai dhe stafi i tij në këtë fushatë nga Drejtoria Arsimore Durrës, e cila ftoi shkollat dhe kopshtet e qytetit të Durrësit që t’i bashkoheshin kësaj fushate dhe qëllimit të saj humanitar, ndihmës për familjen Prizrendi në këtë moment mjaft të vështirë që ata po kalojnë me sëmundjen e rëndë të engjëllit të tyre, Kejsi.

Sipas koreografit, fushata nuk është mbyllur, prandaj kushdo që kërkon të kontribuojë mund t’i drejtohet bankës Intesa San Paolo dhe të derdhë kontributin e tij në dy llogaritë që janë hapur për këtë qëllim (shihni numrin e llogarive në foton poshtë).   

Plaku thekson se kanë qenë të shumtë qytetarët, emigrantët apo biznesmenët që tashmë kanë dhënë ndihmën e tyre modeste për kurimin e Kejsit.

Vajza vazhdon të jetë e shtruar në spitalin e Padovës në Itali dhe gjendja e saj shëndetësore vijon të mbetet kritike. Sindroma nga e cila është prekur Kejsi është e rëndë dhe kërkon një mjekim mjaft të specializuar.

Me urimin që vogëlushja të bëhet mirë sa më shpejtë, koreografi Plaku falenderon këdo që i ka ardhur në ndihmë Kejsi Prizrendit dhe i është gjendur pranë kësaj familje në këto momente mjaft të vështira për ta.