Kolegji i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur që të pushojë çështjen për sekuestrimin e kompleksit “Golden” që është në pronësi të Altin Hajrit.

Pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së parë e rrëzoi kërkesën për konfiskim, SPAK bëri ankim në Apel dhe kërkoi konfiskim të pasurive, por pastaj hoqi dorë, ndaj u vendos pushimi i çështjes. 

“Me referimin në parashikimin e pikës 1, shkronja b), të nenit 46 të ligjit 98/2016 si dhe, në interesin e treguar nga media, komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, mbi ankimin e Prokurorit të Posaçëm, përkundrejt vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka rrëzuar kërkesën për konfiskimin e pasurive të subjektit të aktit normativ A. H., sot më datë 01.10.2021, kolegji i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendosi:– Pushimin e shqyrtimit të çështjes nr. 124 akti, datë 26.04.2021, regjistruar në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar mbi ankimin e Prokurorit të Posaçëm ndaj vendimit nr. 9/80, datë 12.03.2021 të gjykatës së Posaçme të shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për shkak të heqjes dorë nga ankimi”, thuhet në vendim.

Kompleksi “Golden” në Shijak ishte pasuria e parë e sekuestruar nga OFL, pasi pronarët u dyshuan per rrëmbimin dhe ekzekutimin e Jan Prengës, por ende kjo akuzë nuk është vërtetuar ndaj tyre dhe ata nuk kanë marrë dënim.