Gjykata e Apelit ka rikthyer në detyrë Drejtorin e Policisë së Shtetit, Haki Çako, duke rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë që e pezullonte nga detyra me kërkesë të Prokurorisë.

Vetë Haki Çako nuk ishte i pranishëm në seancën gjyqësore që u zhvillua me dyer të mbyllura. Trupi gjykues kryesohej nga Marie Qirjazi.

Në përfundim të vendimit, avokati mbrojtës Maks Haxhia tha se Apeli e cilësoi të paligjshëm masën e pezullimit.

Ishte Gjykata e Shkallës së Parë e cila e akuzoi Çakon për shpërdorim detyre lidhur me pajisjen e përgjimit “IMCI Catcher”. Kryepolici e ankimoi vendimin në Gjykatën e Apelit e cila e riktheu në detyrë pas 1 jave pezullim.

Çako u pezullua me akuzën e shpërdorimit të detyrës, së bashku me dy vartësit e tij Artion Duka dhe Entiol Xhelilaj për të cilët gjykata ka caktuar arrest në shtëpi, me mbikëqyrje elektronike.

Sipas Prokurorisë, Çako nuk ka marrë masat që i takojnë me ligj për të siguruar hyrjen, administrimin dhe përdorimin e pajisjes specifike “IMSI Catcher”, e cila është sjellë në Shqipëri nga autoritetet italiane, për qëllime trajnimi, siç deklarohet nga të dyshuarit.