TIRANE- Tragjedia e “Gërdecit” do të vijojë të endet dyerve të gjykatës pas rreth 5 vitesh nga shpërthimi i fuqishëm 15 km larg nga Tirana ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën dhjetra të tjerë. Gjykata e Apelit shtyu sot vendimin për 29 të akuzuarit.
Kryetari i gjykatës tha para të pranishmëve se për shkak të kompleksitetit të çështjes trupa nuk ka arritur në një vendim dhe ka caktuar datën 13 shkurt për një vendim përfundimtar.
Gjatë seancës së sotme është vënë re mungesa e të pandehurve, pasi si duket kanë hezituar të dëgjojnë verdiktin përfundimtar, i cili nëse i shpall fajtor do të sjellë si rezultat edhe arrestimin e tyre. Ylli Pinari i pranishëm në të gjitha seancat sot mungonte.
VENDIMI I SHKALLES SE PARE
Pas një kalvari të gjatë seancash, Gjykata e Shkallës së Parë më 12 mars të vitit 2012 para përvjetorit të tragjedisë dha vendimin për 29 të pandehurit e dosjes ‘Gërdeci’, ku asnjë nga 29 të akuzuarit nuk u dënua për akuzën e vrasjes.
Sipas vendimit të gjykatës, ish-përgjegjësi i fabrikës së armëve të demontimit që shpërtheu më 15 mars të vitit 2008 në Gërdec u dënua me 18 vjet burg, ish-drejtori i MEICO, Ylli Pinari po me 18 vjet burg, kurse administratori i fabrikës Alba-Demil, Mihal Delijorgji me 10 vjet burg.
TRAGJEDIA
Tragjedia e 15 marsit 2008 u mori jetën 26 personave dhe 300 të tjerë u plagosën rëndë. Pasojat e rënda erdhën si shkak i shpërthimit të një fabrike që bënte çmontimin e municioneve.





