TIRANË-Gjykata e Apelit në Tiranë lë në fuqi pjesërisht vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë ndaj deputetit të PS-së, Sajmir Tahiri i paditur nga fëmijët e kryeministrit Berisha, Argita dhe Shkëlzen Berisha. Edhe trupa gjyqësore e Apelit e ka shpallur fajtor deputetin Tahiri, për shpifje ndaj fëmijëve të kreut të qeverisë, por ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë e dënoi atë për të dëmshpërblyer Argita dhe Shkëlzen Berisha me nga 2.5 mln lekë, Apeli e ka ulur këtë shumë në 1 milion lekë të rinj, për secilin prej tyre. 

Ndërkohë, në përfundim të procesit deputeti Sajmir Tahiri u shpreh se do të vazhdojë të kërkojë të drejtën pa asnjë hezitim në Gjykatën e Lartë duke mos patur asnjë motiv për tu tërhequr dhe duke mos ndryshuar qendrim për fjalët e tij se “kryeministri dhe fëmijët e tij janë të përfshirë në korrupsion”. 

Ai theksoi se një pjesë e sistemit gjyqësor është thyer në kamxhik ndaj atyre që denoncojnë korrupsionin në këtë vend. “Sot po ndodh që nuk janë dënuar dhe nuk dënohen ata që bëjnë korrupsion, nuk janë dënuar dhe nuk dënohen ata që vranë në Gërdec nuk janë dënuar dhe nuk dënohen ata që vranë në 21 janar, por dënohen ata që kanë guxim të denoncojnë korrupsionin e kryeministrit dhe familjes së tij’ u shpreh Tahiri.