Gjatë valës së parë të Covid-19, studiuesit në Universitetin e Oksfordit, ndërtuan një model kompjuterik që tregonte se nëse 56 për qind e qytetarëve britanikë do të shkarkonte dhe përdorte një aplikacion për gjurmimin e kontakteve (bashkë me respektimin e masave të tjera të kontrollit), kjo mund t’i jepte fund epidemisë në vend.

Me aplikacionin që ishte i disponueshëm vetëm që nga shtatori, është shumë herët të thuhet se si po funksionon ky sistem gjurmimi. Por edhe bazuar në përvojën e deritanishme të vendeve të tjera, aplikacionet e të cilëve po përdoren prej disa muajsh, ka ende shumë pak prova se ato mund të bëjnë diferencën në luftimin e Covid-19.

Këshilli i Evropës ka ngritur pikëpyetjen, që duke pasur parasysh mungesën e provave, premtimet e bëra në lidhje me këto aplikacione “a ja vlen marrja parasysh e rreziqeve të parashikueshme sociale dhe ligjore”. Pavarësisht parashikimeve se midis 67.5-85.5 për qind e përdoruesve të mundshëm do t’i shkarkonin këto aplikacione, nivelet e shkarkimeve në mbarë botën të aplikacioneve për gjurmimin e kontakteve, deri më tani kanë qenë të ulëta, duke arritur afërsisht vetëm në nivelin 20 për qind.

Në Gjermani norma ka qenë rreth 21 për qind, në Itali 14 për qind, në Francë vetëm 3 për qind. Islanda dhe Singapori, që ishin ndër të parët që nisën të përdorin një aplikacion të tillë, kanë normat më të larta të shkarkimit deri më tani me 40 për qind.

Në terma më të gjerë, nëse vetëm 20 për qind e popullsisë është përdoruese aktive e aplikacioneve të tilla, atëherë ka vetëm një mundësi prej 4 për qind që ai të hyjë në kontakt me një përdorues tjetër aplikacionesh. Nëse norma e shkarkimit arrin në 40 për qind, shanset që të takoni një tjetër përdorues aktiv të aplikacionit janë 16 për qind.

Kjo gjithashtu funksionon me supozimin se përdoruesit kanë të njëjtin aplikacion ose të ndryshëm, por që mund të funksionojnë bashkë. Por aplikacionet mund të mos kenë nevojë për nivele të larta shkarkimi për të pasur njëfarë ndikimin në frenimin e përhapjes së pandemisë.

Një raport i dytë nga studiuesit e Oksfordit, sugjeroi se një sistem i gjurmimit të kontakteve që përfshinte njoftimet digjitale por edhe manuale, mund të zvogëlojë infeksionet me 4-12 për qind, dhe vdekjet me 2 -15 për qind, dhe kjo vetëm nëse aplikacioni përdoret nga 15 për qind e popullsisë.

Ministria e Shëndetësisë e Singaporit, pohon se atje ku më parë ekipeve të gjurmimit të kontakteve, u duheshin 4 ditë për të identifikuar dhe karantinuar një kontakt të ngushtë të një të sëmuri me Covid, aplikacioni u jep mundësi ta bëjnë atë brenda 2 ditësh.

Por në botën reale, shkarkimi i aplikacionit nuk është i njëjtë me përdorimin e tij, ose më e rëndësishmja:reagimi ndaj paralajmërimeve për t’u vetë-izoluar, ndodh nëse aplikacioni ju tregon se keni qenë në kontakt me një person të infektuar.

Një studim i porositur nga qeveria britanike me më shumë se 30.000 njerëz, tregoi se vetëm 18 për qind e njerëzve ranë dakord të vetë-izoloheshin, kur dikush që punonte për sistemin manual të gjurmimit të kontaktit, i telefononte dhe u shpjegonte arsyen.

Dhe shifrat e reagimit ndaj një mesazh të automatizuar në telefonat e njerëzve, ka të ngjarë të jenë edhe më të ulëta. Po pse aplikacionet nuk patën një sukses më të dukshëm? Së pari, duket se ka një mungesë të besimit të publikut tek teknologjia, dhe mbi përdorimin që ajo i bën të dhënave personale.

Një problem tjetër është që vetëm zotëruesit e smartfonëve mund të përdorin aplikacionet. Duke pasur parasysh që në Britani, 61 për qind e të moshuarve mbi 65 vjeç nuk kanë qasje në një pajisje të lëvizshme të internetit, kjo do të thotë se grupi më i madh i rrezikuar nga koronavirusi, ka shumë më pak të ngjarë të jetë në gjendje të përfitojë nga aplikacionet për gjurmimin e kontakteve.

Një zgjidhje për këtë problem, mund të jetë përdorimi i teknologjisë alternative për të regjistruar kontaktet e njerëzve. Singapori ka prezantuar një pajisje që mund të mbahet në xhep ose çantë, dhe që përmban një teknologji që kryen të njëjtin funksion si një aplikacion gjurmimi. /The Conversation – Bota.al/