Të dëmtuarit në aksidente, do të kenë një referencë më shumë, në kërkesat e tyre për dëmshpërblim te shoqëritë e sigurimit.
Në faqen e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) është publikuar llogaritësi i dëmeve ndaj personit, për të gjitha rastet e dëmeve ndaj personit me humbje të përhershme të aftësisë për pune ose në raste vdekjeje, i jep atyre mundësinë që të llogarisin me përafërsi vlerën e dëmshpërblimit.
Sipas një njoftimi zyrtar të AMF-së, aplikacioni bazohet në Rregulloren nr. 125, datë 28.07.2021 “Për përcaktimin e rregullave dhe metodologjisë së llogaritjes së dëmshpërblimit që mbulohet nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”, miratuar nga Autoriteti në zbatim të ligjit të ri për “Sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, i cili hyri në fuqi më 1 korrik 2021.
Ky aplikacion, sipas AMF-së u vjen në ndihmë palëve përfituese, si dhe vetë profesionistëve/ekspertëve të fushës në vlerësimin e dëmit dhe trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim. Përllogaritësi bazohet në disa supozime, vlerat e përllogaritura janë orientuese dhe synojnë të informojnë përdoruesit mbi masën e dëmshpërblimit.
Aplikacioni është ndërtuar për përllogaritjen e vlerës së dëmshpërblimit në rastet e dëmit ndaj personit me pasojë paaftësinë e përhershme për punë ose me pasojë vdekjen.
Aplikacioni gjendet në linkun e mëposhtëm, në faqen zyrtare të AMF:
https://crm.amf.gov.al/deme
Risitë që sjell zhvillimi i këtij aplikacioni për të siguruarit dhe profesionistët e fushës, sipas AMF-së janë:
Përllogaritja automatike e vlerës së dëmit;
Transparencë mbi vlerën e dëmit pasuror dhe dëmit jopasuror. Pasqyrimi i vlerës për çdo figurë dëmi;
Mundësi përdorimi të aplikacionit nga ana e të dëmtuarve, si edhe profesionistëve/ekspertëve të fushës së sigurimeve, mbi bazën e disa supozimeve;
Edukim të konsumatorëve në fushën e sigurimeve.
Ne bazë të ligjit të ri për sigurimet e detyrueshme në sektorin e transportit, që hyri në fuqi nga 1 korriku, vlerat e dëmshpërblimit në rastet e aksidenteve janë rritur. Ndërkohë, rregullorja e dëmeve, e miratuar në zbatim të ligjit të ri, sipas AMF-së sjell disa risi:
– Ka ndryshuar kategorizimi i personave të dëmtuar, për efekt të llogaritjes së koeficientit të moshës së daljes në pension, duke rritur vlerën e dëmit pasuror;
– Është rritur masa e dëmshpërblimit për dëmin pasuror ndaj të miturit;
– Është rritur masa e mbulimit të shpenzimeve funerale;
– Është rritur masa e dëmshpërblimit për dëmin jopasuror në rastet e paaftësisë së përhershme, i cili përfshin dëmin biologjik, moral dhe ekzistencial;
– Është përmirësuar dhe zgjeruar metodologjia e përllogaritjes së dëmit jopasuror ku përfshihet dëmi biologjik, i ndarë sipas grupmoshave dhe shkallës së paaftësisë. Gjithashtu edhe dëmi moral dhe ekzistencial përllogaritet në funksion të shkallës së paaftësisë për punë;
– Llogaritja e dëmit jopasuror është parashikuar e ndarë për çdo figurë dëmi si dhe e drejta për ta përfituar është individuale dhe nuk varet nga kërkesat e të dëmtuarve/përfituesve të tjerë për dëme nga kjo ngjarje. Në këtë mënyrë rregullorja synon t’i individualizojë përfitimet për secilin të dëmtuar dhe familjarët e tij.
– Janë saktësuar afatet e trajtimit të kërkesës për dëmshpërblim, si edhe është qartësuar procedura për kërkesën e shoqërisë së sigurimit për plotësim dokumentacioni;
– Është parashikuar procedura për rastet e dëmeve që trajtohen me Raportin Evropian të Aksidenteve./Monitor