Agjencia e lajmeve Reuters ka publikuar sot 4 kabllograme, sipas të cilave Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson ka udhëzuar misionet diplomatike të aplikojnë kontrolle më të rrepta ndaj aplikantëve për vizë.
Sipas tij, këtu do të përfshihen edhe kontrolle të detyrueshme në rrjetet sociale, për të gjithë ata persona që janë të pranishëm ku ka të shtrirë veprimtarinë ISIS.
Nga ana e autoriteteve amerikane deri më tani kjo praktikë po aplikohet shumë rrallë. 4 memot e lëshuara nga Tillerson gjatë 2 javëve të fundit ofrojnë një panoramë të mënyrave se si qeveria amerikane po implementon atë që Donald Trump e ka quajtur “verifikim ekstrem” të të huajve që hyjnë në SHBA, një prej premtimeve madhore të fushatës.
Aty jepen udhëzime edhe për implementimin e urdhrit të rishikuar ekzekutiv të Trumpit që ndalon përkohësisht udhëtimet nga 6 vende me shumicë myslimane.
Mes udhëzimeve të Tillerson përfshihen një set pyetjesh specifike për aplikantët nga Irani, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni, vende të prekura nga urdhri ekzekutiv i Trumpit në 6 mars, ashtu si edhe pjesëtarë të popullsive të identifikuara si të rrezikshme për sigurinë.
Ndër të tjera, aplikantët do të pyetën se ku kanë jetuar, udhëtuar apo punuar përgjatë 15 viteve të fundit dhe përpos numrit të pasaportës, telefonit e adresës së emal-it duhet të tregojnë edhe llogarite në rrjetet sociale.