Bashkia e Durrësit ka shtuar numrin e sporteleve për aplikimin online “Shtëpia ime”-platforma online e aplikimit për programet e Rindërtimit, brenda dhe jashtë njësive administrative për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë pësuar dëme në shtëpitë e tyre nga tërmeti i nëntorit.

“Janë 56 sportele në njësitë administrative, por edhe jashtë tyre ku banorët e Durrësit mund të aplikojnë. Sportelet e shtuara jashtë njësive administrative janë në godinat e:

  • Ndërmarrjes Komunale Plazh,
  • Ish Parku i Autobuzëve,
  • Ndërmarrja Rruga Shkozet
  • Drejtoria e Policisë Bashkiake”,- njofton bashkia.

“Në shërbim të qytetarëve në të gjitha sportelet janë punonjës të trajnuar posaçërisht për këtë proçes të cilët do të punojnë me orare të zgjatura. Orari i sporteleve për aplikimin online është çdo ditë ora 08.00-18.00”,- vijon më tej njoftimi i bashkisë.

Të gjithë banorët e Durrësit, të cilëve u janë dëmtuar shtëpitë nga tërmeti duhet të paraqiten në këto sportele me fotokopje të kartës së identitetit, çertifikatë familjare dhe një fotokopje të dokumentit të pronësisë së shtëpisë.

Procesi i aplikimit online po vijon me intensitet dhe deri tani kanë aplikuar rreth 350 qytetarë.