Njoftimi afatshkurtër i lënë në dispozicion për të riaplikuar për grantet e dëmshpërblimit, ka bërë që banorë të shumtë të grumbullohen para Prefekturës pa respektuar masat anticovid.

Ndërsa “luftojnë” për të përfituar grantin për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i një viti më parë, qytetarët në Durrës po rrezikojnë shëndetin e tyre, pasi mundësia për t’u infektuar me Covid-19 është shumë e lartë.

Kjo gjë i shqetëson edhe vetë qytetarët të cilët të revoltuar thonë se në këtë kohë pandemie duheshin shmangur grumbullimet dhe aplikimet të bëheshin edhe nëpër komuna.

“Jemi këtu për të aplikuar për dëmet e tërmetit se nuk aplikuam dot se kështu erdhi situata, dhe tani na thonë për një ditë dhe na mbledhin kështu grumbull, jo t’i hapin nëpër pika që të mos kenë shumë njerëz. Ne na njoftuan me anë të Facebook-ut. Mirë kanë bërë që i kanë hapur po mos të na grumbullojnë.”

“Nuk na kanë njoftuar fare. Disa vetë kanë mbaru punë, ato që kanë pasur njerëzit e vet të njohur.”

“Na gënjejnë na sorollasin, na mbajnë peng. Kanë njerzit që në 5 të mëngjesit, humbasin punën e të gjitha dhe në kohë pandemie. Pse nuk e bëjnë në çdo lagje, në çdo komunë?”

Ndërkohë forcat e policisë së Durrësit kanë mbërritur para Prefekturës për të monitoruar situatën dhe për të shmangur grumbullimin masiv të njerëzve.

Kujtojmë që qytetarët që deri më tani nuk kanë mundur të përfitojnë grantin e dëmshpërblimit për dëmtimin e banesave të tyre në shkallën DS1, DS2 dhe DS3 kanë afat të riaplikojnë vetëm sot.