Mbase Bota i shpëtoi shkatërrimit ditën e djeshme, por Apokalipsi është vetëm 4 vite larg. Sipas Vëllazërisë së Shpatës së Zotit, data e re e përmbysjes së botës është 1 Janar 2017.
Anëtarët e kësaj vëllazërie theksojnë se Profeti Gabriel i ka thënë që “koha e vdekjes” do të jetë pikërisht në këtë datë dhe vetëm pjesëtarët e këtij kulti do të mbijetojnë, ndërsa gjithë të tjerët do të digjen në flakët e Ferrit.
Ky parashikim pasoi skenat e çuditshme të datës 21 kur shumë njerëz shkuan në vende që mendohej se do të ishin të vetmet që do i shpëtonin shkatërrimit. Në malin Bugarach në Francë pati një dyndje të njerëzve, ndërsa kryetari i bashkisë së këtij qyteti të vogël lutej që fluksi i njerëzve të pushonte.
Shamanët peruanë performuan deri edhe rituale për të cilat thonë se kishin për qëllim largimin e fundit të botës.
Përveç qytetit të Meridës në gadishullin Jukatan, njerëz nga e gjithë bota vërshuan edhe në fshatin turk Sirince, që konsiderohet një nga pikat e sigurta prej Apokalipsit. Nga ana tjetër, të gjitha hotelet ishin prenotuar përreth malit Rtanj në Serbi, i cili besohet se ka fuqi magjike.