Kryefjala e debateve të fundit në media ka qenë projekti i shumëpërfolur “Veliera”. Edhe emisioni “STOP” është ndalur në këtë çështje, ku ish-drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës Apollon Bace tregon të gjitha shkeljet e projektit “Veliera”, që po varros vlerat historike në Durrës. Bace shpjegon me dokumente, se nënshkrues i këtij krimi, që ka nisur që prej vitin 2001 është Artan Shkreli, në kohën kur drejtonte Institutin e Monumenteve. Bastioni Detar, që duhet të mbrohej si vlerë antike, fillon me murin e Torrës Veneziane e përfundon me murin e famshëm, ku është ndërtuar pallati shumëkatësh.

“Qyteti mbi tokë dhe nën tokën e tij ndahet në zonën A dhe zonën B. Në zonën A lejohet që të ndërhyhet në rrjetin inxhinierik, të ketë ndërtime të lehta deri në 3 metër, me xham ose me plastikë që mund të hiqen edhe mund të riparohen rrugët. Të tjerat janë absolutisht të palejueshme. Ai që e prek këtë, përballet me ndjekje penale. Edhe kryeministri, edhe presidenti, edhe kushdo qoftë nuk ka të drejtë që të ndërhyjë këtu. Vetëm nëse ngrihet Parlamenti dhe prish atë ligj që ka ndërtuar.

Pas meje është muri i shekullit të 5-të ndërtuar nga perandori Anastas. Ky mur bashkohet me murin tjetër që është nën atë ndërtesën. Është ajo që quhet Bastion Detar. Është pika e ndërmjetme që lidh atë murin e shekullit të 5-të, që është te Torra Veneciane me atë Bastionin që do shohim pak më tutje. Në këtë zonë janë gjetur çekiç të kohës së neolitit, 30 metër brenda zonës A”. thotë Baçe.

“Dëmtimi i kësaj pjese ka filluar që në vitin 2001. Këtu kam një shkresë të firmosur nga ish- drejtori i Institutit të Momumenteve, zoti Shkreli dhe thotë që është jashtë vijës së mbrojtur. Faktikisht ne këtu jemi 30 metër brënda zones. Kjo është një nga hyrjet e këtij bastioni, i cili vazhdon akoma nën tokë. Mbi sipërfaqen e kësaj ndjehen qartë ato gjurmët e eskavatorit, i cili shërbeu për ta holluar këtë mur që ka qenë 4.5 ekzakt i gjerë, në mënyrë që të bëhet sa më elegant që të hynte nën këtë godinën. Kemi të bëjmë me një shkelje totale, e cila ka filluar që në atë kohë dhe vazhdon më tej.

Në këtë pjesën këtu është një bastion prej kohës turke për artileri të rëndë, e cila e mbronte Durrësin nga anijet që mund të vinin, por nuk është këtu problemi. Gërmimet po bëhen krejt në rregull, por nuk duhet të kishin filluar në zonën A. Të hysh në zonën A do të thotë të mos njohësh a ka ligj, a nuk ka ligj.” përfundon Baçe. /tvklan.al