Të gjithë bizneset në fushën e produkteve ushqimore do të përballen me kritere të reja sa i përket prodhimit, përpunimit dhe shpërndarjes së tyre, në rast se konkurrojnë për tenderë publikë. Rekomandimi i ri, i bërë publik së fundmi nga Agjencia e Prokurimit Publik, tregon pikat kryesore që duhet të përmbushin operatorët ekonomike për të marrë pjesë në tenderë.

Agjencia e Prokurimit Publik (APP) dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në kuadër të bashkëpunimit institucional, referuar Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar ndërmjet dy pAalëve, bën me dije se ka nxjerrë një rekomandim të ri sa i përket prokurimeve për kategorinë e produkteve ushqimore.

Sipas rekomandimit, APP thekson se duhen vendosur kritere të veçanta për kualifikimin dhe specifikimet teknike për prokurimin e produkteve ushqimore.

Këto standarde, thekson APP, vendosen me qëllim që t’i shërbejnë autoriteteve kontraktore për të siguruar rritjen e cilësisë së ushqimit për grupe të veçanta të konsumatorëve që janë nën kujdesin dhe pergjegjësine e këtyre autoriteteve kontraktore.

“Autoritetet kontraktore, duhet të mbajnë në konsideratë këtë material orientues gjatë hartimit të kritereve për kualifikim, hartimit të specifikimeve teknike për këtë objekt prokurimi, gjatë procesit të vlerësimit të ofertave të paraqitura në procedurat e prokurimit, që kanë si object produktet ushqimore, si edhe gjatë zbatimit të kontratës”-thotë APP në njoftim.

Në hartimin e kritereve për kualifikim, për objektet e prokurimit që përfshijnë shërbimin e prodhimit, përpunimit, furnizimit dhe shpërndarjes së produkteve ushqimore, autoriteti kontraktor, duhet të ketë në konsideratë kërkesat e veçantë që përcaktohen nga legjislacioni I fushës. APP kujton bizneset për licensat, lejet e duhura për secilën kategori përpara se të marrë pjesë si ofertues publikë.

Në çdo rast, thekson APP, kërkesat e veçanta për kualifikim duhet të hartohen në përpjesëtim me natyrën dhe përmasat e kontratës që do të prokurohen, si dhe të jenë kritere jo diskriminuese.

Në dokumentin rekomandues të APP, kërkesat u drejtohen specifikisht operatorëve ekonomikë në fushën e tregtimit të produkteve me origjinë shtazore, ose joshtazore, që të përmbushin kushtet e duhura sa i përket: prodhimit, përpunimit dhe shpërndarjes së tyre. APP kujton se në bazë të legjislacionit në fuqi, operatorët duhet të kenë parasysh se në flëtë analizë që do të shoqërojë çdo sasi të mallit të lëvruar, duhet të shënohet edhe sasia e prodhimit të tyre. Një tjetër kusht i veçantë është emërtimi i laboratorit që ka testuar apo certifikuar këto produkte, etiketimi i tyre, shoqërimi në një mjet transporti sipas temperaturës së duhur etj. Specifikimet e tjera sipas rekomandimit do t’i gjeni në website e app.gov.al. /Monitor/