“Apple” ka prezantuar të martën modelin më të ri të smartfonëve të tij, “iPhone 7”. Produkti më i ri i gjigantit të themeluar nga Steve Jobs ka kufje që funksionojnë me wireless, bateri më jetëgjatë dhe kamera të dyfishtë.

iPhone 7 nuk do të ketë vend të dedikuar për kufjet, të cilat mund të përdoren duke i futur në të njëjtin vend me atë ku hyn fisha e karikimit, ose të përdoren “Airpods”, kufje pa fishë që përmes infraredit aktivizohen në momentin që vihen në vesh. Këto kufje shoqërohen me bateri dhe janë të karikueshme. Jetëgjatësia e baterive të tyre me një karikim shkon 24 orë.

Për të gjithë ata që nuk dëshirojnë të dëgjojnë muzikë apo diçka tjetër nga iPhone 7 me asnjërën prej këtyre metodave, “Apple” sjell edhe një adoptues për kufjet tradicionale që janë në treg.

Në dizajn, “Apple” ka ruajtur traditën, por sjell disa risi interesante sa i përket pamjes, që pasurohet me një fije alumini. Është rezistent ndaj ujit dhe pluhurit dhe vjen me një procesor 50 për qind më të shpejtë sesa paraardhësi i tij.

7 i thjeshtë ka një kamera me stabilizim imazhi optikal, lente 6 elemente me F/1.8 hapje, ndërsa 7 Plus ka lente të dyfishta me kënd të gjerë. Edhe ky produkt është rezistent ndaj ujit e pluhurit. 

iPhone 7 vjen me një kamera ballore prej 7 megapiksel, gjithashtu me lente të dyfishtë.

Në të dy modelet, “Apple” thotë se kohëzgjatja e baterisë është rreth 60 për qind më shumë se në produktet paraardhëse. 

Kreu i “Apple”, Tim Cook, prezantoi pajisjen e re në “Bill Graham Civic Auditorium” në San Françisko, duke thënë se iPhone është produkti më i shitur në historinë e njerëzimit.