Apple Inc, kompania e të ndjerit Steve Jobs është lider në tregun kompjuterik, me produktet e saj më të fundit si iPod apo iPhone. Pavarësisht bumit të sotëm të shitjeve, fitimeve marramendëse dhe hedhjes në treg të fjalës më të fundit të teknologjisë, fillimet e saj ajo i ka në 1 prill të 1976.

Por në atë kohë kompania mbante emrin Apple Computer dhe u themelua nga dy shokë të ngushtë, Steve Jobs dhe Stephen Wozniak, dy të rinj të apasionuar pas zbulimeve teknologjike. Wozniak, i cili dizenjoi kompjuterin e parë të kompanisë punonte për Hewlett-Packard. Gjatë pushimeve verore, Jobs nisi punë aty dhe u prezantua me Stephen.

Ishte Steve ai që bindi shokun e tij të nisnin të prodhonin dhe shisnin kompjuter. Për të vënë në jetë idenë e tyre ata u detyruan të shisnin furgonin dhe një makinë llogaritëse HP-65 për të siguruar rreth 1.300 dollarë, të nevojshëm për realizimin e kompjuterit të parë.

Wozniak dizenjoi kompjuterin e parë Apple. Tashmë, kur produktet e kësaj kompanie janë me qindra, PC-ja i parë i saj mban emrin Apple I. Ai u prezantua për herë të parë në Homebrew Computer Club, në Kaliforni, në 11 prill të 1976. Homebrew Computer Club ishte një grup gjenish të teknologjisë, të cilët mblidheshin për të diskutuar së bashku idetë për ndërtimin e kompjuterëve apo për të shkëmbyer pjesë të ndryshme me njeri-tjetrin.

Në pamje të parë, Apple I ngjason shumë me një makinë shkrimi. Prodhimin e tyre të parë Wozniak dhe Jobs e shitën në korrik të 1976 për 666 dollarë amerikanë, një shumë kjo që përkon me numrin e djallit. I pyetur vite më vonë lidhur me këtë Wozniak është shprehur se nuk e dinte kuptimin e numrit 666, por e zgjodhi pasi pëlqente përsëritjen e shifrave.

Pas prodhimit të parë të suksesshëm dy shokët ndërtuan 200 kopje të Apple I. Në ndryshim nga kompjuterët e tjerë të prodhuar në atë kohë (të cilët shiteshin në pjesë të veçanta), Apple I ishte një pajisje e vetme.   

Vitet 1976-77

Apple I ishte një pajisje inovative për kohën kur u krijua. Në prill të 1977, një vit pas hedhjes në treg, çmimi i saj ra deri në 475 dollarë, por vazhdoi të shitej deri në gusht të po atij viti, pavarësisht se Jobs dhe Wozniak kishin nxjerrë tashmë në treg Apple II. Meqë Stephen ishte i vetmi që mund t’u përgjigjej pyetjeve teknike apo sqaruese të konsumatorëve, kompania u ofroi pronarëve të Apple I ulje çmimi për Apple II, nëse ata vinin ta kthenin kompjuterin e tyre të parë.

 

Ajo që nisi si një ide e dy djemve të rinj të apasionuar pas kompjuterëve u shndërrua në një nga kompanitë më fitimprurëse në të gjithë botën. Zyra qendrore e parë e saj ishte vendosur në një garazh të vogël, ndërsa tani kompania e themeluar nga Steve Jobs dhe Stephen Wozniak është e përhapur në të gjithë botën. Revolucioni që Apple solli në fushën e teknologjisë kompjuterike bëri që të ndryshonte njëherë e përgjithmonë mendimi ynë për kompjuterët

Ndërsa në fillim zyra qendrore e kompanisë së tyre dhe laboratori ku prodhoheshin kompjuterët ishte dhoma e gjumit e Jobs, me shtimin e punës gjithçka nisi të kryhej në garazhin e shtëpisë së tij. Ndërkohë, apartamenti i Wozniak ishte i mbushur plot me monitorë dhe pjesë kompjuterike. Pikërisht në atë garazh të Jobs mori jetë ajo që do të kthehej në kompaninë lider në tregun e pajisjeve kompjuterike innovative. 

Apple I, pjesë e koleksioneve

Në ditët tona mendohet se ekzistojnë rreth 40-50 Apple I, të cilat janë bërë pjesë e koleksioneve në vende të ndryshme të botës. Në një ankand të vitit 1999, një Apple I u shit për 50.000 dollarë, megjithëse çmimi i këtyre pajisjeve vërtitet rreth 14-16.000 dollarë. Në nëntor të 2009, një Apple I me numër serial 82 u shit në eBay për 50.000 dollarë, por nuk u mor vesh emri i blerësit.

Një vit me vonë, po i njëjti kompjuter u shfaq sërish, por këtë herë u propozua të shitej për 178.000 dollarë. Ai u shit nga Christie, shtëpia londineze e ankandeve për shumën 210.000 dollarë, duke qenë deri më sot çmimi më i lartë i ofruar për këtë lloj pc-je.

Vlera e pajisjes së shitur nga Christie u rrit në një shifër rekord, për shkak se kompjuteri shoqërohej nga një sërë dokumentesh të rrallë siç ishte paketimi origjinal (ku shkruhej adresa e shtëpisë së prindërve të Jobs, në garazhin e së cilës ishte vendosur “zyra qendrore” e kompanisë Apple Computer), një letër e shtypur dhe e firmosur nga Steve Jobs (ku u jepej përgjigje disa pyetjeve teknike për përdorimin e kompjuterit), si dhe një faturë origjinale ku legjendari Jobs figuronte shitës. 

 

Kush është Stephen Wozniak?

Wozniak (lindur më 11 gusht 1950) ishte një inxhinier dhe programues kompjuterësh, i cili së bashku me Steve Jobs dhe Ronald Wayne themeloi kompaninë Apple Computer (tani Apple Inc). Wozniak dizenjoi Apple I dhe Apple II në mesin e viteve ’70 duke dhënë një kontribut të vyer në revolucionin kompjuterik të atyre viteve. Ai u njoh me Jobs në 1970 në universitetin Homestead High School, ndërkohë që miqësia e tyre u forcua gjatë kohës kur punonin për kompaninë Hewlett-Packard. Kur Jobs i propozoi idenë për të shitur kompjuterë, Stephen ishte në fillim skeptik, por më pas arriti të bindej dhe nisi të krijonte kompjuterin që do ta bënte të famshëm. Dy të rinjtë mendonin se edhe nëse kompania e themeluar prej tyre do të falimentonte, të paktën do të mund t’i tregonin nipërve të tyre vite më vonë se kishin pasur në pronësi një shoqëri të tyren. Pas krijimit të kompanisë në 1 prill të 1976, Stephen mbante detyrën e zv/presidentit dhe ishte përgjegjës për kërkimet dhe zhvillimin e Apple-s. Me kompjuterin e tyre ata arritën të impresiononin grupin e “shkencëtarëve” elektronikë të Homebrew Computer Club. Wozniak vazhdoi punën në kompaninë që e krijoi vetë deri në vitin 1987. Ai mbetet një aksioner i Apple-s dhe mbajti kontaktet me Steve Jobs deri në vdekjen e këtij të fundit, megjithëse nuk ishin më miq të ngushtë.

Kush ishte Steve Jobs?

Steve Jobs ishte një biznesman amerikan, dizenjues dhe shpikës. Ai njihet njëkohësisht si ish-drejtuesi i kompanisë Apple Inc. Gjatë 56 viteve të jetës së tij, Jobs i ka impresionuar njerëzit me aftësinë për ta kthyer kompaninë e tij në një nga më fitimprurëset në të gjithë botën, me produktet gjithnjë e më shumë inovative dhe me karizmën e tij me të cilën bëri për vete shumë adhurues. Ndërsa së bashku me Wozniak ai themeloi Apple Computer, në vitin 1985 u largua nga kompania, pasi humbi një betejë me bordin drejtues të saj. Pas largimit nga Apple, Jobs themeloi kompaninë NEXT, e specializuar në teknologjitë kompjuterike dhe biznes.

Në 1986, ai bleu sektorin e grafikës së kompanisë Lucasfilm (më vonë mori emrin Pixar) dhe më pas u bë drejtori i përgjithshëm i saj duke qenë njëkohësisht aksioneri më i fuqishëm deri në momentin kur kompania u ble nga Walt Disney në 2006. Ndërsa ish-kompania e tij hasi shumë probleme për krijimin e një kompjuteri të ri, Apple i kërkoi Jobs ndihmë dhe si pjesë e marrëveshjes së arritur ai u bë këshillues i saj. Në 1996, ndërkohë që Apple ishte në rrezik falimentimi ai mori kontrollin dhe u bë president i përhershëm (interim CEO apo iCEO, siç thoshte ai duke qeshur). Nën drejtimin e tij Apple i shpëtoi falimentimit dhe në vitin 1998 u bë fitimprurëse. Në dekadën e ardhshme Jobs do të hidhte në treg disa nga produktet më inovative në fushën kompjuterike si iMac, iTunes, iPod, iPhone dhe iPad. Suksesi i jashtëzakonshëm i këtyre produkteve dhe shërbimeve dhe vlera mjaft e lartë e kompanisë në treg, ndërsa pak vite më parë rrezikonte falimentimin, konsiderohet nga të gjithë si një nga rokadat më të mëdha në historinë e biznesit. Diagnostikimi me kancer në pankreas në vitin 2003 nuk e largoi Jobs nga kompania e tij. Ndërsa në vitin 2009 iu nënshtrua një transplanti në mëlçi ai nuk mundi ta fitonte betejën me sëmundjen. Në 5 tetor të 2011 Jobs u nda nga jeta, por influenca e tij në fushën e teknologjisë do të vazhdojë të ndihet gjatë. Pas vdekjes, ai është konsideruar nga shumë njerëz si “legjendar”, “futurist”, “vizionar”, “baba i revolucionit dixhital” apo “pionier i revolucionit kompjuterik”. Mbi të gjitha, Jobs ishte një shpikës dhe inovator i pashterueshëm që me idetë e tij ndryshoi përgjithmonë teknologjinë kompjuterike.