Këtë fillim muaji, për të tretin vit radhazi në qytetin e Durrësit do të organizohet panairi ndërkombetar i librit “Durrës skript”. Organizatori Aqif Hysa, deklaroi se ky panair ka për qëllim të krijojë një ngjarje kulturore parësore për qytetin e Durrësit, për vizitorët e tij, turistët vendas dhe të huaj, duke e lidhur ngushtësisht librin me turizmin.
Ai do të zhvillohet në shëtitoren bregdetare në afërsi të monumentit të rezistencës dhe në të do të marrin pjesë rreth 60 shtëpi botuese. Krahasuar me vitet e mëparshme parashikohet që panairi të ketë disa risi mbresëlënëse.
Veprimtaria organizohet nga shoqata “Durana”, e cila ka fituar një përvojë disa vjeçare në organizmin e eventeve të tilla edhe në qytete të tjera të vendit.
Panairi i tretë i librit “Durrës skript” do të çelet më 9 gusht.
K.H.