Menjëherë pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje, në të cilën një automjet qarkullonte me shpejtësi duke shkelur semaforin, në bulevardin “Bajram Curri”, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, kanë evidentuar dhe ndaluar automjetin.
Në momentin e ndalimit drejtuesi i automjetit tip “Audi”, shtetasi A. S., është konstatuar se drejtonte automjetin pa vendosur rripin e sigurimit.
Gjatë kryerjes së veprimeve policore, drejtuesi i mjetit, shtetasi A. S., ka refuzuar t’ia paraqesë dokumentacionin e kërkuar oficerit të Policisë, si dhe ka kundërshtuar, me dhunë shoqërimin në organet e Policisë, duke manifestuar sjellje agresive dhe të dhunshme në raport me kërkesat ligjore te punonjësve të Policisë Rrugore.
Ky shtetas ka kundërshtuar efektivët e Policisë, edhe për të bërë testin e alkoolit.
Në këto kushte është neutralizuar drejtuesi i mjetit dhe pas shoqërimit të tij, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, ai është testuar me aparatin drogë-testues dhe ka rezultuar se e drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i tij për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Gjithashtu, këtij shtetasi iu pezullua leja e drejtimit për 24 muaj, iu zbritën 15 pikë nga leja e drejtimit dhe iu vendos masa administrative 89.000 lekë të rinj, për shkeljen e nenit 185 “Drejtimi i mjetit nën efektin e lëndëve droguese”, të parashikuar nga Kodi Rrugor.
Kjo shkelje u provua pas matjes me aparatin drogë-testues, të markës “AquilaScan”.