Arabia Saudite ka njoftuar ekzekutimin e gjashtë iranianëve të dënuar me vdekje për trafik droge, duke shkaktuar një reagim nga Teherani, që thirri ambasadorin saudit në kryeqytetin iranian.

Numri i ekzekutimeve në këtë vend arriti një rekord të lartë në vitin 2024, me 330 ekzekutime, sipas një raporti të AFP-së bazuar në shifrat zyrtare.

Gjashtë iranianët u ekzekutuan në Dammam, në pjesën lindore të Arabisë Saudite, pasi u shpallën fajtorë për “kontrabandë hashashi” në mbretëri, tha ministria e brendshme saudite, pa specifikuar datën e ekzekutimit të gjashtë iranianëve.

Ministria e Jashtme e Iranit njoftoi se kishte thirrur ambasadorin saudit në Teheran për të dorëzuar një notë proteste për ekzekutimet, të cilat Teherani i përshkroi si “të papranueshme” dhe “shkelje të rregullave të së drejtës ndërkombëtare”.

Kujtohet se me një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Kina në vitin 2023, Teherani dhe Riadi rivendosën marrëdhëniet e tyre diplomatike dypalëshe pas vitesh armiqësie. Në vitin 2024, 117 persona u ekzekutuan për trafik droge në Arabinë Saudite, duke përfshirë 85 të huaj, sipas një raporti të AFP.

Autoritetet saudite kanë nisur një fushatë për të luftuar trafikun e drogës në vitin 2023, me një seri bastisjesh dhe arrestimesh.

Sipas OKB-së, monarkia e Gjirit është një treg i madh për kaptagonin, një drogë sintetike e ngjashme me amfetaminën, e prodhuar në Siri dhe Liban.

Në vitin 2024, Arabia Saudite ekzekutoi gjithsej 338 persona, sipas numërimit të AFP-së, krahasuar me 170 në 2023.