Teuta e sezonit 2022-2023 do të jetë komplet ndryshe nga ajo që tifozët durrsakë kanë parë në vitet e fundit. Projekti i klubit për t’u bazuar te futbollistët e rinj po vihet tashmë në zbatim. Trajneri Renato Arapi, ka treguar planin që ka për ndërtimin e ekipit kur mbeten pak më shumë se një muaj nga fillimi i kampionatit. Numri një i pankinës pret që klubi të bëjë të paktën tri afrime cilësorë që ekipi të jetë gati.

Renato, si po shkojnë përgatitjet?

Normalisht që është vetëm fillimi, pasi vijmë nga një periudhë relativisht e gjatë pushimesh. Këto javë ka pasur edhe pak ngarkesë, sepse përveç grupit aktual që janë nën kontratë, jemi munduar të bëjmë edhe seleksionime për lojtarët e rinj. Synimet e klubit këtë vit janë të ndërtojmë një ekip me djem të rinj.

Një ekip me djem të rinj do të thotë objektiva modestë apo do të kërkoni sërish trofe si në sezonet e kaluara?

Nëse vjen mrekullia, mirë se të vijë, por duhet që të jemi me këmbë në tokë. Shumë pak lojtarë nga grupi i sezonit të kaluar kanë qëndruar, por kemi disa me eksperiencë, që besoj se do të na ndihmojnë për ecurinë gjatë kampionatit. Në skuadër ka shumë futbollistë të rinj dhe do të mundohemi t’u implementojmë sa më shpejt ato gjëra që ne kërkojmë. Shpresojmë që të arrijmë të bëjmë një kampionat dinjitoz.

Çfarë prisni nga merkatoja, deri më tani është zyrtarizuar vetëm afrimi i mesfushorit Uheid Hoxha…

Pres të paktën 2-3 afrime cilësore, që mundësisht të jenë lojtarë me eksperiencë në kampionat, sepse do ta ndihmonin shumë ekipin. Kështu do të bënim edhe ndërthurjen e brezave, por edhe me këta lojtarë që kemi tani, japin shpresë që mund të bëjmë diçka të mirë në sezonin e ri. Unë e thashë që objektivi është të krijojmë një ekip për të ardhmen. Nuk mund të themi që do të tentojmë Europën, pasi mendoj se do të jetë shumë e vështirë. Ka shumë ekipe që po investojnë, por që kryesorja për ne është të ndërtojmë grupin që do ta kemi për vazhdimësinë. Do t’u japim besim lojtarëve të rinj dhe besoj se kemi goxha elementë cilësorë në skuadër.

Sezoni i kaluar ishte i pari për ju si trajner, por e morët skuadrën në një moment jo të mirë…

Ne jemi munduar të punojmë shumë si nga ana psikologjike, por edhe aty ku ne si staf pamë që kishim mangësi, sidomos te loja në grup në mbrojtje. Mendoj se këtë e përmirësuam, ndërsa pozitive ishte pjesa e shënimit të golave. Të paktën në fazën e fundit të kampionatit të kaluar kemi marrë 18 pikë. Po ta bësh çdo fazë këtë pothuajse del kampion, kështu që duhet ta nisim tashmë aty ku e lamë. Kjo më jep besimin edhe për sezonin e ri, por duhet punë dhe përkushtim maksimal.

Ku e ndien Arapi veten më mirë, si drejtor apo trajner?

Pjesa e futbollit të luajtur është mbyllur, por mirë do të kishte qenë të isha pak më i ri (qesh). Mua më pëlqen çdo rol që ka të bëjë me futbollin, pasi nuk dua të shkëputem. Ky është profesioni im dhe më bën që të ndihem mirë. Të jesh trajner i Teutës është përgjegjësi e madhe dhe po mundohem që të përkushtohem maksimalisht te kjo pjesë.

Një mesazh për tifozërinë e Teutës?

Kishte vite që Teuta nuk është formuar me kaq djem të rinj. I kërkojmë mbështetje, pasi djemtë e rinj e vuajnë shumë fillimin. Në momentin që ata kanë mbështetje dhe morali i tyre ngrihet, do të jetë më e lehtë. Mungesa e eksperiencës të bën edhe të gabosh, por në momentin që ti ke entuziazëm dhe eufori, jep më shumë dhe merr edhe rezultate.