E dyta ndeshje radhazi për Teutën që pëson katër gola në kampionat.

Ekipi durrsak humbi 4-2 në Shkodër, sfidë rreth së cilës foli Renato Arapi në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, ku ndër të tjera tha:

“Do ta hidhja ekipin në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtët lojtarë. Sot reaguam shumë mirë pas golave të pësuar, ky është ndryshimi me ndeshjen me Partizanin. Jam i kënaqur me pjesën e parë të ekipit. 

U munduam t’i përshtatemi kundërshtarit dhe vetes tonë. Jemi në një moment formatimi, tentuam të fusim djem të rinj. Shpresoj të rritemi.

Kemi vetëm dy ditë që punuam me skemën e re. Në sulm bëmë mirë, por duhet kohë. Edhe Vllaznia ka lojtarë që ta vështirësojnë lojën.

Ky arbitri i shpik vetë këto rregulla. Mua nuk më duket faull, Lorenco Vila është përpara lojtarit të Vllaznisë, ka shtytje. Të përfundonte aksioni, më pas të ndërhynte VAR-i.

Mbrojtja? Ne e dimë ku e kemi problemin, janë shumë gola të pësuar. Kemi punuar shumë, por jo çdo gjë rregullohet shpejt. Më bën optimist fitimi i një lojtari si Jazxhi. Ai dhe Beqja bënë performancë të shkëlqyer.

Do isha i kënaqur nëse shkëputemi nga zona e ftohtë. Një nga objektivat tonë është edhe fitimi i Kupës. Normalisht nuk është e lehtë, kemi përballë tre ekipe në formë të mirë.

Shpresoj të jemi përmirësuar deri atëherë dhe të përballemi si të barabartë me ta”, deklaroi Arapi.