Trajneri i Teutës, Renato Arapi, foli pas triumfit në shtëpi ndaj Egnatias, teksa hodhi kandidaturën për Europën, 3 javë para fundit të kampionatit. Në prononcimin pas ndeshjes, tekniku durrsak u shpreh:
“Vinim pas disa ndeshjeve të mira, kemi pasur vazhdimësi, kjo më ngroh. Sot e mbyllëm një objektiv, pavarësisht se Teuta nuk ishte ndërtuar për mbijetesë, do ti bëjmë hyzmetin javëve të mbetura, pse jo për të pretenduar për vendin e katërt.
E nisëm ndeshjen shumë mirë, ekipi ka treguar vetëbesim, kjo është shumë e rëndësishme. Kemi gjetur stabilitet. Na motivon pjesa e sipërme e renditjes, janë 9 pikë në lojë, diferenca është 6 pikë. Pjesa më e madhe e lojtarëve besoj do të qëndrojnë dhe vitin tjetër, kjo është një pikënisje e mirë.
Na vjen keq për golin e pësuar, sepse gjatë gjithë sezonit kemi pësuar shumë gola. Fokusin e kam vënë tek mbrojtja. Jemi përpjekur t’i marrim maksimumin lojtarëve. I kemi dhënë prioritet edhe sulmit me 2 lojtarë sulmuesë. Përqendrimi deri në fund akoma nuk është, ka vend akoma për t’u përmirësuar.
E mira është që Vllaznia-Kukësi të dalë barazim. Tirana pavarësisht se është shpallur kampion, do të mundohet të tregohet serioze deri në fund. Është shumë e rëndësishme që të formohemi nga ana psikologjike dhe të kemi vazhdimësi.
I vetmi peng është ndeshja me Tiranën. Me Vllazninë bëmë lojë të mirë, por nuk krijuam shumë. Me Tiranën I kishim mundësitë për ta fituar ndeshjen, por futbolli I tillë është, i ka të treja rezultatet.
Peposhit I është dashur kohë të përshtatet, po mundohet të zbatojë atë që I kemi thënë. Jemi munduar të punojmë edhe për sezonin e ardhshëm. Në përfundim të kampionatit do të ketë prurje, por edhe pjesa më e madhe mund të qëndrojnë”, u shpreh Arapi.