Shorti i Ligës së Europës ka vendosur Teutën përballë në rivali në teori të pamundur për t’u kaluar në turin e dytë, pasi do të ketë si kundërshtar një klub të La Liga si Granada. Por në Durrës janë të ndërgjegjshëm se kjo do të jetë një ndeshje prestigji për ta, siç e shpreh edhe kapiteni Renato Arapi.
“Kjo është nga ato ndeshje që nuk ke se çfarë të humbësh. Nuk kemi frikë, do të bëjmë maksimumin duke e ditur që është kundërshtar i fortë. Do të tregojmë lojën tonë duke bërë maksimumin”, tha kapiteni duke folur për përgatitjet e skuadrës.
Sipas Arapit, e rëndësishme në këtë moment është që skuadra po kalon një formë të mirë dhe pret që ajo të tregojë veten, edhe si provë para një kampionati ku durrsakët duan të jenë protagonistë për objektivin madhor.
“Skuadra është në gjendje të mirë fizike, edhe me moral shumë të mire. Shpresojmë të vazhdojmë kështu, kjo të jetë edhe për vazhdimësinë se besoj se këtë vit jemi pretendentë për titull”, deklaroi Arapi.





