Teuta ka mundur me shifrat 4-1 Kukësin në një ndeshje që mund të jetë shumë vendimtare sa i përket të dy skajeve të tabelës. Durrsakët kanë marrë tre pikë të rënda për t’iu larguar zonës së play-out. Renato Arapi ka qenë i lumtur me fitoren bindëse të skuadrës së tij ndaj Kukësit. Por trajneri i Teutës tha se skuadra e tij duhej të vazhdonte të qëndronte me këmbë në tokë.

“Ndjen kënaqësi kur ekipi interpreton atë që i thua dhe bën gjatë stërvitjeve. Ndjehesh mirë por futbolli është shumë i pabesë. Nga një ndeshje e mirë, mund të shkosh shpejt ku ishe, ndaj duhet të jemi të gjithë me këmbë në tokë, duke filluar nga unë i pari.

Në përgjithësi jam i kënaqur me të gjithë lojtarët për atë që kanë treguar. Që nga ndeshja në Kupë në Laç, jemi munduar të ndryshojmë diçka, të bëjmë lojë më sulmuese. Sigurisht ka më shumë presion, por jam i kënaqur nga të gjithë, kemi bërë një lojë shumë të shkëlqyeshme përveç golave. Jam i kënaqur edhe me ndërrimet, që bënë shumë mirë.Kampionati ka hyrë në një fazë shumë të mirë, e kam thënë që me dy fitore kap vend të katërt e pestë. Por me një humbje kthehesh në ato ujëra ndaj të qëndrojmë me këmbë në tokë.

Një nga prioritetet tona në këtë periudhë ka qenë edhe futja e elementit të ri, deri tani kemi qenë të kënaqur. Sot u mundova të aktivizoj edhe Kapllanin i cili bën shumë mirë. Duhen ndërthurur se janë ata me eksperiencë që i orientojnë në fushë dhe lojtarët e ri nuk e kanë shumë të vështirë.Unë të them të drejtën jam munduar që sido të jetë rezultati, dua një ekip që të mos ndryshojë sjelljen në fushë. Kjo është pak problem se është pjesë e mentalitetit që po mundohemi ta ndryshojmë”, tha Arapi.