Trajneri Renato Arapi shprehet se deri më tani gjithçka po shkon me së mirë dhe që Teuta do t’i besojë produktit vendas. Arapi nuk ka dëshirë të flasë për objektiva konkretë, por shprehet se ekipi duhet të bëjë sa më mirë më pas do të shohin. Pas rikthimit në fushë, drejtuesit blu njëkohësisht po shohin edhe pjesën e merkatos për të përforcuar organikën me elementë cilësorë. Kujtojmë se deri tani është bërë një afrim, ndërsa priten edhe të tjerë lojtarë.

Si po e shihni Teutën e re para startit të sezonit të ri futbollistik?

Kemi bërë shumë ndryshime në ekip. Janë afruar djem të rinj me perspektivë, gjë që është në planet e klubit për të krijuar një ekip të së ardhshmes.

Sa e vështirë është të punosh me djem të rinj në një skuadër të Superiores?

Edhe po të kesh lojtarë me eksperiencë, do të kërkojnë kohën e vet të përshtaten. Por me djemtë e rinj është pak më e vështirë, megjithatë na jep besim për këto ditë që jemi stërvitur pasi këtu kemi përshtypje të mira.

Duket që Teuta e re do të ndërtohet me produkt vendas, pa asnjë të huaj?

Ne në ekip kemi vetëm lojtarë shqiptarë dhe kjo është ajo që ne kërkojmë. Të përafrohemi me lojtarë vendas, pasi e njohin më mirë terrenin, kampionatin dhe përshtatjen e kanë më të lehtë.

A jeni i kënaqur me lojtarët që janë në provë këtu te Teuta në fazën përgatitore?

Normalisht që ka ende lojtarë të cilët ne i kemi në provë dhe po i shikojmë, por deri tani kanë paraqitur atë që posedojnë dhe ne jemi të kënaqur.

Cili është objektivi për sezonin e ri?

Në shpresojmë që këtë sezon të bëjmë një kampionat sa më dinjitoz e më pas të shohim e të mendojmë për të ardhmen.