Skela të ngritura, punëtorë që meremetojnë e suvatojnë pallatet në shumë rrugë të Shijakut, zhurmat e zakonshme që shoqërojnë procesin e ndërtimit… Në lagjen “Lugina” punohet për ngritjen e infrastrukturës së brendshme, aty ku pas pak javësh pritet të nisë hedhja e themeleve për 19 pallate që do të ngrihen nga e para. 11 muaj pas tërmetit të 26 nëntorit, kohë kur syri të shihte ngado pallate dhe shtëpi të dëmtuara rëndë, Shijaku është kthyer në kantier ndërtimi. Qytetarët që janë rikthyer në pallatet e riparuara ndihen të sigurt. Të tjerët, që panë shtëpinë e dëmtuar rëndë apo të shembur nga tërmeti, tani kanë nisur të shohin me shpresë ndërtimin e banesave individuale. Në qytetin e gjunjëzuar nga tërmeti, Rindërtimi shihet si një proces që do ta transformojë qytezën e vogël.

“Në javën e parë të dhjetorit përfundojmë riparimin e 27 pallateve të dëmtuara, ndërsa në fund të dhjetorit do të përfundojë ndërtimi i 567 banesave individuale në Shijak dhe njësitë administrative që po i ndërtojmë nga e para. Në 4 shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, si dhe në kopshtin nr.1 punimet janë duke ecur me ritme të larta dhe pritet që ato të dorëzohen sipas afateve që kemi premtuar. Gjatë nëntorit presim të nisë puna edhe për hapjen e themeleve të 19 pallateve që do të ndërtohen tek lagjja “Lugina”, ku do të sistemohen rreth 400 familje. Pas nisjes së këtij procesi do na duhet rreth një vit e gjysëm për përfundimin e godinave”,- thotë në një intervistë për DurrësLajm kryebashkiaku Elton Arbana.

I përballur me dy tërmete dhe një pandemi që vazhdon ende, Arbana pranon se gjërat nuk kanë qenë aspak të lehta.Atij dhe gjithë stafit të bashkisë u është dashur të bëjnë një punë mjaft voluminoze dhe me orë të zgjatura, por fatmirësisht tani procesi i Rindërtimit është në rrugë të mbarë dhe banorët e Shijakut ndihen shpresëplotë se së shpejti do të rikthehen në shtëpitë e tyre.

Në bisedë e sipër, kryebashkiaku na vë përpara disa kuti të vogla. Secila prej tyre përmban nga një USB, ku ndodhen të dhënat për të gjitha banesat e dëmtuara në bashki dhe ndihmat e shpërndara nëpër familje në nevojë gjatë periudhës së karantinës për shkak të Covid-19.

“Na duhet vetëm një minutë kohë për të verifikuar të dhënat për çdo banor të Shijakut”,– thotë kryebashkiaku që qytetin e konsideron si familjen e madhe të tij.

Rikonstruksioni i aksit rrugor “4 rrugët – Rrashbull” ka bërë që distanca Durrës-Shijak të përshkohet për pak minuta.

“Rikonstruksioni i rrugës është në ndihmë të ekonomisë dhe biznesit. Në Shijak ka 14 fshatra dhe secili prej tyre ka nga një liqen. Pas Rindërtimit ne duam ta kthejmë Shijakun në një pikë të rëndësishme për agroturizmin, t’i bëjmë qytetin dhe njësitë administrative të vizitueshme. Përveç aksit kryesor është duke u ndërhyrë dhe në disa rrugë të tjera të rëndësishme të zonës, që do ta kthejnë Shijakun në një destinacion tërheqës për të gjithë”,– thotë Arbana.

Bashkia ka nisur të hartojë projektet e para dhe sipas kryebashkiakut, me ndihmën edhe të qeverisë, mund të bëhet shumë në këtë drejtim.

Dikur kryetar partie dhe tashmë kryebashkiak, a mendon Arbana të japë dorëheqjen për të kandiduar për një mandat deputeti? Cilat janë pengjet e tij kundrejt familjes tashmë që kohën më të madhe ia dedikon punëve të qytetit? Sa e prekin akuzat e ngritura herë pas here nga opozita dhe cila është përgjigjja e tij për denoncimet e bëra nga figura të njohura të PD-së?

Përgjigjet e të gjitha këtyre pyetjeve, kryebashkiaku i Shijakut i jep gjatë intervistës së dhënë për DurrësLajm.

M.B.