Ish-zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj, megjithëse i shpallur në kërkim nga SPAK për aferën me inceneratorët, po jeton i qetë në Zvicër, ku edhe përflitet se ka përfituar azil, por zyrtarisht nuk është e konfirmuar.

Por ish-ministri duket se ende po mban lidhje dhe kontakte me politikën, e kryesisht me përfaqësues të opozitës.

Në një foto të publikuar në rrjetin social Facebook, nga gazetari Adriatik Doçi, ish-ministri shihet teksa po shijon pushimet me kreun e PBDNJ-së Vangjel Dulen në Mendrisio të Zvicrës.

“Tigri duke bërë plane nga Mendrisio e Zvicrës si të çajë rrethimin e Çetës së Dibrës! Dhe një mik që i gjendet në ditë të vështira. Duket si i agjenturës greke!” – shkruan gazetari Doçi.

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj nënshkroi një kontratë lobimi me vlerë 150 mijë dollarë për të informuar qeverinë amerikane për pretendimin se akuzat e shumëfishta për korrupsion kundër tij në Shqipëri janë “të pavërteta”.