Prokuroria e Posaçme po e heton ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetajn për 3 akuza. Ahmetaj po hetohet nga SPAK për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash.
Prokuroria e Posaçme po heton rolin e ish-ministrit Arben Ahmetaj në dy procedime që tashmë janë bashkuar. Procedimi i parë për rolin si ministër në inceneratorin e Elbasanit dhe i dyti i regjistruar për akuzat e pastrimit te parave, në bazë të një kallëzimi të bërë.
Kujtojmë se në fillim të muajit, nisi verifikimi pasuror ndaj Ahmetajt. Byroja Kombëtare e Hetimit kreu kontrolle më 9 mars në shtëpitë e ish-gruas Albina Mancka dhe bashkëjtueses aktuale Erjola Hoxha. Kontrollet u zhvilluan pas urdhrit të dhënë nga Gjykata e Posaçme.
Sipas procesverbalit, u sekuestruan projektet e ndërtimit të 3 vilave, 1 apartamenti dhe 1 shtëpie ekzistuese në Tiranë në zonën e Bllokut. Pjesë e dosjes janë bërë edhe projektet e arredimit të tyre.
Prokuroria e Posaçme për çështjen e inceneratorëve është duke verifikuar edhe rolin e 3 Ministrive të tjera.
Ndërkohë, Arben Ahmetaj dhe bashkëjetuesja e tij, Erjola Hoxha iu drejtuan Gjykatës së Posaçme të Apelit me kërkesë për të shpallur si antikushtetues vendimin për kontrollin e ushtruar në banesën ku ata jetojnë. I jashtëligjshëm, sipas avokatëve të Ahmetajt, ishte edhe procedura e kontrollit të banesës dhe ajo e kontrollit personal ndaj Erjola Hoxhës. Argumenti kryesor i antikushtetueshmërisë, sipas avokatëve ishte nevoja për një autorizim nga Kuvendi, pasi Ahmetaj është deputet.