Gazeta holandeze “Telegraaf” i ka kushtuar një shkrim Arben Frrokut, i cili u arrestua më shumë se dy muaj më parë dhe është në pritje të ekstradimit. Gazeta e cilëson Frrokun si anëtar të spikatur të Partisë Kristiandemokrate dhe me një të kaluar kriminale.

Shqiptari u arrestua në një aeroport të Holandës më 9 maj. Frroku rezulton i dënuar për vrasje dhe cilësohet një kryemafioz.

Arben Frroku ka kundërshtuar ekstradimin e tij për në Shqipëri ndërsa shteti shqiptar ka dorëzuar dosjen e tij në Hagë.

Sipas “Telegraaf”, Frroku pavarësisht se Shqipëria kërkon ekstradimin e tij, do të dënohet dhe të vuaj dënimin në Holandë.

Gjithashtu, shteti holandez refuzon që të kryejë ekstradimin e personave që nuk e kanë jetën e garantuar dhe këtë gjë duhet se po shfrytëzon Frroku për të kundërshtuar ekstradimin.

Në raste të mëparshme, gjykatësit në Holandë kanë vendosur të mos miratojnë ekstradimin për shkak të korrupsionit dhe gjakmarrjes që ekziston në Shqipëri.

Frroku zgjodhi të fshihej në Holandë me një identitet të rremë siç bëjnë shumë kriminelë të tjerë nga Italia apo Britania, shkruan gazeta.

“Telegraaf”, thekson se përveçse bëjnë një jetë të fshehtë në Holandë ata vazhdojnë edhe aktivitetin e tyre kriminal gjatë qëndrimit atje.