Arben Lleshi, i cili u ekzekutua këtë të premte në burgun e Peqinit nga Sokol Mjacaj, vuante në këtë burg dënimin përjetë për vrasjen e Agim Hoxhës dhe djegien e trupit të tij, ngjarje e ndodhur në vitin 2012 në Angli.

Ai u kap në Angli dhe më pas u ekstradua në Shqipëri ku u dënua me burgim të përjetshëm. Në pranga ra edhe vëllai i tij, i cili e kishte ndihmuar në djegien e trupit të Agim Hoxhës dhe zhdukjes së provave.

Pas kësaj ngjarjeje vijoi saga e vrasjeve dhe rrëmbimeve në fisin Lleshi.

Në 30 tetor të vitit 2013, u ekzekutua me armë zjarri Xhavit Lleshi.

Në 15 maj 2016 u vra Hajredin Lleshi në fshatin e lindjes në Burrel, i cili është vëllai i Xhavitit.

Ndërkohë që në 2017 u rrëmbye Artan Lleshi, djali i Hajredinit, të cilin e morën me një makinë në Burrel dhe e sollën në Kamëz, ku është parë për herë të fundit dhe u zhduk.

Ndërsa në datë 5 gusht 2020 u zhduk edhe Klevis Lleshi 21-vjeç. Ai sapo ka dalë nga shtëpia për të kosumuar kafe, e rrëmbyen dhe u zhduk.

Dyshohet se Klevisi kishte nisur të fliste për hakmarrje ndaj familjes Hoxha dhe pas këtyre fjalëve ka ndodhur rrëmbimi i tij. Ende sot e kësaj dite 3 vite pas zhdukjes, nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Pra bilanci i viktimave në familjen Lleshi është 2 të vdekur dhe 2 të zhdukur, ndërkohë që sot në burg u vra edhe Arben Lleshi.