Ish-ministri i Financave, Arben Malaj ka reaguar në lidhje me projektligjin e ri për Fiskalizimin, i cili sipas ministres së Financave është një instrument që do të ndihmojë qeverinë në luftën kundër informalitetit dhe konkurrencës së pandershme në treg.

Malaj thotë se faji nuk është i bizneseve, por i qeverive pasi fiskalizimi me penalitete është një rrugë e dështuar e provuar disa herë.

Ai thotë se mbështet çdo reformë të qeverisjes online, por nga ana tjetër shpreh kritika se si qeveria për shtyrjen e këtij projekti ka treguar se qeveria me vetëdije fsheh transparencën, imponon me dhunën e gjobave për të luftuar informalitetin dhe evazionin fiskal si dhe  për përfitime politike dhe vota ka falur disa herë po këto gjoba duke rritur pushtetin abuzues.

Postimi i plotë i Arben Malajt:

Mos i gjobisni bizneset – dështimi është i qeverive jo i tyre. Reformat-fiskalizimi me penalitete – është një rrugë e dështuar disa herë.

Biznesi duhet ti paguajë detyrimet sipas: (a) “cash floë/hyrjeve të ardhurave; (b) me koston e tij më të ulët për taksapaguesit dhe (c) kostot sa më të vogla edhe të taksa-mbledhësve.

Këto janë parime të arta të taksimit të qartësuara nga Adam Smith që në shekullin e 17-të.

Mos shpikni për interesa jo të sinqerta parime të tjera siç është absolutizimi i efekteve të gjobave sa më të rënda.

Personalisht mbështes çdo reformë në çdo aspekt të qeverisjes online që garanton tre parakushte jetike:

(1) nuk rrit asnjë kosto direkte dhe indirekte për përdoruesit e këtyre shërbimeve online sidomos për tatimpaguesit, bizneset dhe individët;

(2) që rrit shpejtësinë dhe cilësinë e nder dhe bashkëveprimit midis përfituesve fundorë – dhe agjensive publike dhe

(3) që nuk dëmton sado pak moralitetin e taksave – pra që qëllimi i vërtetë është përfitimi i përdoruesve nga efektet pozitive të reformave dhe jo kompanitë e favorizuara vendase apo të huaja për fitime të garantuara dhe të larta.

Ky projekt që është shtyrë disa herë vërteton shqetësimin e taksapaguesve për:

(1) kostot jo të lehta direkte dhe indirekte:

(2) qeveria ka shkelur një nga detyrimet ligjore që për çdo ligj duhet të masë dhe qartësojë publikisht efektet përfituese ose kostot e tij por jo me paragrafe copy-paste por me shifra të monitorueshme;

(3) qeveria fshehu në parlament se sa do të ishte në milidra lekë përfitimi nga efektet direkte dhe indirekte të fiskalizimit;

(4) qeveria me vetëdije fsheh transparencën e këtyre shifrave që të pengojë monitorimin e “sukseseve” të reformave nga ekspertë dhe Organizata Jo Qeveritare jashtë favorizimit qeveritar;

(5) nëse të ardhurat nga fiskalizimi do të ishin aq të mëdha sa qeveria deklaron me fjalë – individët, bizneset e vogla dhe të mesme vitet e para nuk duhet të paguajnë asnjë qindarkë dhe kur të binden se fiskalizimi ndihmon edhe menaxhimin më mirë të bizneseve të tyre do të rritet vullnetshmëria e përdorimit të sistemeve “moderne” fiskalizuese në një treg konkurues të ofrimit të tyre me cilësi të mirë dhe kosto të ulët të pajisjeve dhe mirëmbajtjes;

(6) qeveria ka dështuar disa herë me imponimin me dhunën e gjobave për ta luftuar informalitetin dhe evazionin;

(7) dështimi vjen kryesisht nga moraliteti i ulët i pagimit të taksave kur qeveritë akuzohen nga taksapaguesit, nga raportet, indekset dhe institucionet ndërkombëtare për korrupsion dhe kapje të shtetit ;

(8) qeveria ka treguar se për përfitime politike/vota dhe për përfitime abuzive dhe të nxitura nga arroganca, babëzia dhe kapja e shtetit ka bërë herë pas here falje të gjobave. Pra ajo e keq përdor penalizimin jo për të luftuar informalitetin, por për të rritur pushtetin e saj abuzues.

Kjo analizë mund të thellohet dhe plotësohet si me argumenta dhe me rastet e dështimeve të përsëritura në administratën publike dhe fiskale.