Tiranë, 19 prill 2014 – Arben Ristani, deputeti i Partisë Demokratike, mbrëmë ka organizuar ceremoninë e martesës së tij. Sipas “Panorama”, ceremonia e martesës është zhvilluar në lokalin “Padam”, një nga lokalet e preferuara të personazheve VIP në kryeqytet. 45-vjeçari Ristani, ish-kryetar i KQZ-së, aktualisht deputet i opozitës, ka rreth 10 vite lidhje me Alketa Zazon, 41- vjeçaren që në profesion është mjeke, por që aktualisht punon në një organizatë jo qeveritare. Gjithashtu ajo njihet edhe si redaktore e përkthyese.
Lajmi për lidhjen e tij me Alketën u dekonspirua nga media rreth një vit me parë, në një party me personazhe të njohura. Kjo është martesa e dytë për Ristanin, i cili ka një vajzë nga martesa e parë.
Ristani është lidhur me Alketën pak kohë mbas divorcit, rreth vitit 2003. Kjo martesë vjen mbas gati dhjetë vitesh njohje dhe bashkëjetesë të Arbenit dhe Alketës, kohë më se e mjaftueshme për t’u njohur dhe për të vendosur se ata janë bërë për njëri- tjetrin dhe duhet të rrinë bashkë.
Arben Ristani njihet si deputet dhe ish-kryetar i KQZ, ndërsa në profesion është jurist, por që tani ka vendosur t’i përkushtohet jetës politike. Sot Ristani është një nga zërat më të ashpër dhe agresivë të opozitës.





