Të bësh karrierë në fushën shkencore nuk është çështje fati, por këmbënguljeje dhe pasioni për profesionin e zgjedhur   

Kur u nis në drejtim të Italisë për të kryer studimet pasuniversitare ndoshta nuk e kishte menduar deri ku do të arrinte. U nis plot shpresë për të afirmuar veten në fushën shkencore dhe ia doli mbanë. Bëhet fjalë për 50 vjeçarin durrsak, Arben Myrta që prej gati 20 vjetësh ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në Itali. Pasi mbaroi studimet në Universitetin Bujqësor të Kamzës, në fillim të viteve '90 shkoi për të ndjekur studimet pasuniversitare në Institutin Agronomik Mesdhetar të Barit (IAM). Pas mbarimit të studimeve u punësua në këtë institut në fushën e kërkimeve shkencore. Ka marrë pjesë në shumë konferenca ndërkombëtare për bujqësinë në Shqipëri, Europë e Shtetet e Bashkuara. Prej mëse tre vitesh punon si menaxher teknik në kompaninë ndërkombëtare CERTIS Europeme qendër në Milano. Është autor dhe bashkautor i rreth 200 artikujve shkencore dhe 16 librave me temë virusologjinë bimore dhe mbrojtjen e bimëve. Në të njëjtën kohë është profesor i asociuar pranë Universitetit Bujqësor të Kamzës. Një karrierë për tu pasur zili nga çdo intelektual shqiptar që kërkon të afirmohet jashtë vendit. Në një intervistë për gazetën “Dyrrah” Arbeni tregon për vështirësitë e hasuar në fillimet e karrierës, për raportet me kolegët e huaj, por në të njëjtën kohë shpjegon dhe shkaqet se pse sektori i bujqësisë është ndër më të prapambeturit në vendin tonë.   

Arben, ju u nisët drejt Italisë për të kryer studimet pasuniversitare në Instituto Agronomico Mediterraneo të Barit dhe më pas u punësuat aty. Mund të na thoni shkurtimisht sa i vështirë ishte fillimi për ju dhe sa përkrahje patët nga kolegët tuaj italianë dhe të huaj?

Fillimi i çdo eksperience të re është zakonisht i vështirë, akoma më shumë kur kemi të bëjmë me një të tillë jashtë vendit dhe sidomos për faktin se ne u larguam në fillim të viteve 1990, pas një izolimi të gjatë dhe pa pasur më parë mundësinë për ta njohur nga afër realitetin e jashtëm apo pa u matur e bashkëpunuar profesionalisht me kolegët e huaj. Fillimi ishte i vështirë, jo aq shumë në aspektin teknik se sa në atë psikologjik, pasi shkonim në Bari ku ishte (dhe mbetet akoma) i freskët imazhi i emigracionit masiv shqiptar në Pulja. Mikpritjes dhe solidaritetit të treguar ndaj bashkëatdhetarëve tanë, i shtohej habia apo mosbesimi në disa raste, që shqiptarët të kishin mundësi ose interesa për të arritur maksimumin e mundshëm në studime apo punë shkencore. Me të kaluar muajt e parë, fakti që njihja mirë gjuhën dhe kulturën italiane ka qenë një faktor i rëndësishëm në integrimin e shpejtë në komunitetin e Institutit apo më gjerë.

Ju tani punoni në një kompani ndërkombëtare (CERTIS) dhe keni marrë pjesë në konferenca shkencore anembanë Europës dhe Shtetet e Bashkuara. A ka pasur reagime nga kolegë tuaj dhe të ç’natyre kanë qenë ato, kur kanë mësuar faktin se ju jeni shqiptar? Sa e vështirë është për një intelektual shqiptar të afirmohet si i tillë edhe jashtë?

Reagimet më të shumta kanë qenë kryesisht në Itali dhe sidomos vitet e para. Këto reagime (shumica pozitive) janë lidhur kryesisht me interesin e veçantë të kolegëve dhe institucioneve italiane lidhur me studimet apo kërkimin shkencor në Shqipëri, por kanë qenë dhe interesat kulturore, dëshira për ta njohur më nga afër vendin tonë. Unë kam pasur mundësinë të përgatis dhe zbatoj shumë projekte bashkëpunimi shkencor me institucione shqiptare në fushën e bujqësisë (p.sh me Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit, Universitetin Bujqësor të Kamzës, Akademinë e Shkencave etj.), duke ruajtur vazhdimisht lidhjet me kërkimin shkencor dhe realitetin e sektorit të bujqësisë në Shqipëri. Në të gjitha këto veprimtari afro 20 vjeçare, kam pasur gjithmonë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e shumë kolegëve italianë. Udhëtimet e shpeshta dhe pjesëmarrja në aktivitete në shkallë ndërkombëtare të mëson se vendi ynë njihet shumë pak dhe është detyrë e cilitdo që i jepet mundësia, të kontribuojë në njohjen e mirë të tij. Në përgjithësi nuk na paragjykojnë, edhe pse në fillim e kishim merak këtë aspekt, pasi në ambiente të kualifikuara qofshin këto institucione shkencore apo kompani private, nuk vlerësohesh nga origjina. Të qënit me origjinë të ndryshme në të njëjtin vend pune, vlerësohet gjithmonë si faktor kulturor pozitiv dhe të ofron mundësi të zgjerosh njohuritë e tua. Unë kam pasur mundësinë të studioj ose punoj në Itali në fusha të ndryshme: të jem student pasuniversitar, punonjës dhe drejtues kërkimesh në qendra shkencore apo së fundmi si menaxher teknik në kompani private shumëkombëshe. Gjithmonë kam pasur vështirësi të ndryshme në pozicionet e mbajtura, por këto vështirësi nuk buronin nga origjina, por vetëm nga fakti se afirmimi në çdo fushë është i vështirë.

Ju jeni në kontakt me shumë shqiptarë të tjerë që jetojnë në Itali. Sa kanë nisur të ndihen efektet negative të krizës ekonomike tek emigrantët shqiptarë? A ekziston mundësia që shumë prej tyre të kthehen këtu?

Sigurisht që jemi në kontakt me shumë shqiptarë që për fat nuk mungojnë në Itali. Miqësia dhe kontaktet janë shtuar vitet e fundit, pasi me kalimin e viteve dhe të moshës me sa duket forcohet edhe dëshira për të qënë më afër me njeri tjetrin. Në vitet e para në emigracion ishte më e fortë dëshira për tu afirmuar që secili nga ne kishte në vetvete, gjë që shpesh ka bërë që shumica të shikonte jetën në mënyrë individuale. Për fat të mirë kjo periudhë ka përfunduar dhe shpesh në fundjavë takohemi dhe na bie rasti të jemi miq apo të presim të tillë me kuzhinën tonë tradicionale, pasi ditët e tjera të javës, nga puna e ngjeshur dhe koha e shkurtër, i drejtohemi kuzhinës italiane. Kriza ka ndikuar shumë në tregun italian të punës, duke mos kursyer edhe shqiptarët, që shpesh kanë dalë të papunë me periudha të gjata. E keqja është se kjo periudhë krize nuk duket se do të ketë përfundim të shpejtë. Sa mundësi ka që të kthehen shqiptarët, me siguri që kjo është një çështje individuale. Në përgjithësi shqiptarët e kanë të vështirë nga pikpamja psikologjike të kthehen në vendlindje, pasi i duket si ‘dështim’ në eksperiencën jashtë vendit, por një faktor tjetër janë fëmijët e tyre, të cilët kanë lindur dhe janë rritur në Itali. Këta të fundit shpesh nuk flasin mirë ose nuk e flasin fare shqipen, gjë që e vështirëson akoma më shumë problemin. Me kalimin e viteve, jam i bindur se kthimi nga emigracioni në Shqipëri do të jetë një fenomen fiziologjik i lëvizjes së njerëzve, duke uruar që të mos jetë fryt i një ‘stresi’ të ri lëvizjeje të detyruar për bashkëatdhetarët tanë.

Jeni angazhuar prej rreth 30 vitesh në sektorin e bujqësisë. Në Itali dhe Greqi ka shumë shqiptarë që punojnë në bujqësi, ndërkohë që në vendin tonë është tashmë fakt i ditur që tokat rrinë djerrë. Sipas jush pse shqiptarët punojnë tokat e të tjerëve, ndërkohë që nuk i kushtojnë vëmendje tokave te tyre?

Fakti që në Shqipëri kemi akoma shumë toka djerrë, është për të ardhur keq. Ky problem i ka rrënjët e komplikuara dhe nuk po zgjidhet edhe pse kanë kaluar 20 vjet nga ndryshimi i sistemit të mëparshëm. Kemi të bëjmë me probleme për pronësinë e tokës, dëshirën e vogël për të punuar në bujqësi, vështirësitë e tregut të brendshëm etj. Ne që punojmë në bujqësi jashtë vendit, ku çdo cep parcele kultivohet dhe mirëmbahet,  na vjen shumë keq kur shohim këtë gjendje të tokave tona, që janë shpesh më pjellore dhe me ujin pranë. Mund t’ju them se në Pulja (nga ku ne importojmë prodhime bujqësore) përdorin me sukses toka shumë të varfëra dhe gurore, ku ujin për vaditje e marrin nga puse të gërmuara në thellësinë deri 500-700 m, pra një kosto e lartë e hapjes së pusit dhe nxjerrjes së ujit. Atëherë pse shqiptarët punojnë tokat e të tjerëve? Përgjigja është e thjeshtë. Fshatarët tanë e gjejnë veten më mirë të jenë të punësuar (pasi u mësuan në kooperativat tona të mëparshme) se sa të bëhen sipërmarrës në tokën e tyre bujqësore. Të qënit sipërmarrës kërkon shumë më tepër punë dhe kapacitete menaxhimi nga prodhimi e deri në tregtimin e produkteve.

Ju bashkëpunoni ngushtë me Universitetin Bujqësor të Kamzës ku jeni profesor i asociuar. Cila do të ishte këshilla që do t’i jepnit studentëve për t’i përballuar sa më mirë kërkesat e tregut të punës si këtu në Shqipëri ashtu edhe jashtë? 

Kam mbajtur vazhdimisht lidhje pune me Universitetin, me projekte apo bashkëpunime të ndryshme. Si rezultat i kësaj veprimtarie jam edhe profesor i asociuar i këtij universiteti. Këshilla e vetme për studentët është të angazhohen seriozisht në vitet e studimit për të pasur një të ardhme të sigurt në profesionin e zgjedhur.