Skuadra e Teutës po vijon përgatitjet në Poloni. Një nga futbollistët kyç të ekipit është mesfushori Arbër Çyrbja. Këmbëshpejti është paraqitur mjaft mirë në këtë fazë përgatitore, duke qenë mjaft aktiv në repartin ofensiv. Çyrbja ka folur për ecurinë e përgatitjeve të skuadrës, duke theksuar se atmosfera në klub është shumë e mirë.
Arbër, si po shkon faza përgatitore dhe si e vlerësoni gjendjen e skuadrës deri tani?
Mund të them me bindje të plotë se faza përgatitore po shkon mjaft mirë. Kemi punuar në kushte shumë të mira, me seanca intensive çdo ditë. Kemi marrë ngarkesën e duhur dhe natyrisht që kushtet ndikojnë pozitivisht në këtë drejtim. Lajmi i mirë është që nuk kemi pasur dëmtime, ndaj kemi mundur të punojmë me grup të plotë.
Keni bërë paraqitje të mira në aspektin personal gjatë kësaj faze. Si ndiheni?
Edhe vitet e kaluara kam pasur minutazh dhe formë të qëndrueshme, por këtë sezon, së bashku me klubin, kemi bërë një ngritje në nivel. Synimet e mia janë që të bëj paraqitje sa më të mira dhe ta ndihmoj skuadrën, siç bëra edhe sezonin e kaluar në disa ndeshje vendimtare. Këtë sezon dua të jap edhe më shumë që të arrijmë objektivat tanë.
Si ju duket kjo Teutë krahasuar me atë të sezonit të kaluar?
Jemi një ekip i ndërtuar thuajse nga e para, megjithatë në skuadër ka ende lojtarë që e njohim mirë njëri-tjetrin. Ajo që më ka bërë përshtypje është se afrimet janë të qëlluara dhe kjo të jep shpresë. Më e rëndësishmja është që ata kanë kapur formën e mirë fizike dhe janë integruar me grupin. Kam besim se shumë shpejt gjithçka do të marrë drejtimin e duhur.
Kampionati pritet të nisë më 23 gusht. A është gati Teuta?
Kemi ende kohë në dispozicion dhe duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht deri në nisje të sezonit. Siç e thashë, lojtarët janë në formë shumë të mirë, por besoj se deri më 23 gusht do të jemi plotësisht gati.
Edhe sezonin e kaluar pretenduat për Kupat e Europës, por në fund mbijetuat me vështirësi…
Do t’i marrim gjërat me radhë, sepse siç e përmenda edhe më herët, jemi një skuadër e ndërtuar nga e para. Nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse të hedhim hapa të sigurt. Megjithatë, unë besoj se ky sezon do të jetë ndryshe për Teutën. Do të bëjmë progres.





