Kombëtarja shqiptare po vazhdon përgatitjet për dy ndeshjet kundër Ukrainës (7 shtator, “Epet Arena”) dhe Gjeorgjisë (10 shtator, “Air Albania”), të vlefshme për edicionin e ri të Ligës së Kombeve.

Në konferencën për mediat, Arbër Hoxha u shpreh se skuadra po përgatitet maksimalisht për të marrë rezultate pozitive në këto dy takime. 

Ndër të tjera, Hoxha i bën thirrje tifozëve shqiptarë të jenë të pranishëm në stadiumin “Air Albania” në ndeshjen kundër Gjeorgjisë, më 10 shtator.

Ndeshja me Ukrainën – Së pari dua të fokusohemi te ndeshja e parë me Ukrainën, që e kemi më 7 shtator. Është një kundërshtar i fortë, ka lojtarë shumë cilësorë në radhët e veta. Kemi edhe disa ditë për të përgatitur ndeshjen dhe të fokusohemi 100% që të arrijmë një rezultat pozitiv në këtë ndeshje.

Sfida me Gjeorgjinë në “Air Albania”– Është një ndjenjë e madhe sepse është ndeshja ime e parë në stadiumin “Air Albania”. I bëj thirrje shqiptarëve që të jenë sa më të shumtë dhe të mbushin stadiumin.

Objektivi i Shqipërisë në Ligën e Kombeve– Duke marrë parasysh që është një mundësi shumë e mirë për Botërorin, pse mos të renditemi në vendin e parë. Kemi skuadra shumë të forta në grup, por ne do të japim maksimumin gjithmonë për Kombëtaren tonë.