Arbëreshë nga zona e Lungros në Kalabri, Casalvechio dhe San Bebedetto Ulano sollën sot një koncert me këngë e valle tradicionale në qytetin bregdetar të Durrësit.

Me veshjet e tyre tradicionale të ruajtura me fanatizëm në shekuj në këtë manifestim të zhvilluar para bashkisë me rastin e përkujtimit të betejave të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, arbëreshët u mirëpritën nga publiku durrsak.

Në fjalën e rastit drejtori i arsim, kulturës në bashkinë e Durrësit, Adrian Gurra tha se ashtu si më herët arbëreshët janë të mirëpritur në atdheun e tyre. Edhe përfaqësuesi i drejtorisë së Kulturës, Alber Koni vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me Arbëreshët në ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore gjuhësore etj.

Me interpretimet e tyre, arbëreshët spikatën me një nga veçoritë që i karakterizon më shumë; ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit të tyre, të cilin e kanë kuruar me një kujdes të jashtëzakonshëm.

Arbëreshët nuk e kanë harruar vendin e të parëve dhe ruajnë të gjalla zakonet e tyre të pasura, si gjuhën, veshjet, ritet dhe doket.

K.H.