DURRËS, 9 korrik 2013 – Të jetosh midis Italisë (Molizes) dhe Durrësit, kështu ndodh me një personalitet arbëresh sikurse është Luigi de Rosa, i pushtuar nga një pasion për të ruajtur dhe përhapur kulturën shekullore të arbëreshëve.

Shoqata kulturore e arbëreshëve të Italisë ka botuar këto ditë numrin 101 të buletinit “Kumbora”, e përmuajshme informative kulturore e arbëreshëve që jetojnë në rajonin e Molizes (Itali).

Drejtori i botimit të saj, Luigi de Rosa, tha se periodiku me 12 faqe ka filluar të botohet 10 vjet më parë në Ururi, një nga fshatrat e njohur arbëreshë të rajonit të Molizes, rreth 220 km në veri të portit të Barit (Itali).

Aktualisht përgatitet në Itali dhe botohet në Shqipëri.

Periodiku botohet në arbërisht dhe italisht, duke e bërë më të lehtë komunikimin me të rinjtë arbëreshë, mjaft prej të cilëve janë të interesuar për të kaluarën e parëve të tyre, – shton De Rosa.

I shqetësuar për braktisjen e qytezave dhe traditave arbëreshe, botuesi De Rosa shkruan në redaksionalen “Pse vdes një horë?”për fshatin Rur (Ururi) se një qytezë është si njeriu dhe rron e shkon përpara nga vlerat që e karakterizojnë.

/g. k. & th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/