Arbi Koka, koordinator i LSI për qarkun e Durrësit është shprehur se Lëvizja Socialiste për Integrim është një hap para, krahasuar me të gjithë partitë e tjera. Sipas tij kandidaturat e PS as nuk i dinë problemet e qytetarëve Durrsakë. “Betonizmi, përmbytjet, prerja e pemëve, rruga e plazhit etj, janë disa prej problemeve më të nxehta të qytetit bregdetar”,- shton koordinatori i LSI. Ai thekson se "duhen 1001 net për të treguar 1001 të zeza që Dako e Rama i kanë bërë Durrësit".
Deklarata e plotë e Arbi Kokës:
Lëvizja Socialiste për Integrim në Durrës është një hap më parë se të gjitha subjektet e tjera politike që garojnë në zgjedhjet e 25 qershorit. Këtë e pohon lista e 14 kandidatëve për deputetë, të cilët janë qytetarë që jetën e kanë të lidhur me Durrësin. Qyteti i Durrësit nuk duhet dhe nuk mund të përfaqësohet nga deputetë sa për të marrë mandatin dhe më pas të vazhdojnë karrierën e tyre politike duke ligjëruar kafeneve të kryeqytetit ku bëjnë pazare për interesa personale. Durrësi dhe qytetarët durrsakë nuk mundet të shërbejnë vetëm si prodhues mandatesh për deputetë që si lidh kurrfarë gjëje me këtë qytet. Ndërkohë që lista prej 14 deputetësh e LSI-së përbëhet nga bijë e bija të këtij qyteti, PS dhe PD prezantohet nga emra që si lidh asgjë me këtë qytet përveçse vijnë për të frekuentuar lokalet e qytetit bregdetar.
Dëshmi e një liste me njerëz që e njohin qytetin dhe hallet e tij, sepse si thotë një fjalë e urtë popullore: “Vetëm i zoti e di ku i pikon çatia”, kandidaturat e PS jo vetëm që nuk e dinë pse Durrësi lëngon prej vitesh, por as që do të marrin mundimin që të flasin qoftë edhe për një problem të vetëm.
Dikush dhe të gjithë qytetarët durrsakë bashkë duhet t'i japin njëherë e përgjithmonë atë që Vangjush Dako meriton dhe nuk meriton as më pak dhe as më shumë vetëm shuplaka me votë kundër tij!
Për të gjithë badërdinë e bërë me qytetin e dytë më të madh në vend dhe që sot është kantandisur si një varr i hapur, që as jep dhe as merr më shkëlqim prej kohësh.
Për të gjithë përmbytjet që i kanë ndodhur vit pas viti në çdo stinë me shi, ku bashkë me llumin zhdukën dhe mijëra investime të qytetarëve të cilët kanë derdhur djersën e ballit për bizneset apo banesat e tyre!
Për të gjithë milionat e hedhura dëm në rrugën e plazhit që është kthyer si gojëdhëna e Kështjellës së Rozafës, kur natën punohej dhe ditën shembej!
Për të gjithë betonizimin e hedhur pa asnjë kriter për të murosur të gjallë gjithë pasurinë dhe vlerat arkeologjike të të gjithë shqiptarëve dhe qytetarëve durrsakë në veçanti!
Dako bashkë me tentativat e tij për të "rilindur" Durrësin, nuk bëri asgjë më shumë sesa e mbuloi atë që trashëgim na lanë të parët tanë, atë që u deshën 3000 vjet për të shkruar historinë dhe rilindja alla Dako-Rama e eleminoi përgjatë këtyre viteve!
Më shumë se kurrë qytetarët durrsakë duhet të kujtohen për të gjitha këto para se të flasin me votën e tyre!
Një votë e hedhur për Vangjush Dakon dhe kampin e tij mavi nuk është asgjë më shumë se një projekt i papërfunduar, një beton i shtuar, një tullë që vihet sot dhe prishet nesër, një ujësjellës që nuk u bë kurrë në dobi të qytetarëve, një palmë e ngulur mbi beton dhe që kurrë s'do të lëshojë rrënjë, një pemë e prerë për ta zëvendësuar me një shtyllë betoni, një rrugë plazhi që vazhdon të bëhet dhe ribëhet nga e para por që s'do të përfundojë kurrë!
Pra, i dashur qytetar i Durrësit, kujtohu për të gjitha këto dhe shumë të këqija të tjera të bëra nga Dako dhe ekipi i tij i importuar enkas për të humbur, para se të vendosësh fatin e familjes dhe qytetit tënd dhe për 4 vitet e ardhshme!
Do të duheshin 1001 netë për të shpjeguar 1001 të zeza që i janë bërë këtij qyteti dhe qytetarëve durrsakë, dhe padyshim që do gjendeshin mbi 1001 arsye për të mos votuar shpresën e humbur të Durrësit, por forcën politike që ka në fokus bijtë e tij, që kanë lindur dhe janë rritur këtu.





