26 qershor 2015 – Formacioni i gjyqtarëve të Kategorisë Superiore është gati të zbresë në fushë për ndeshjet e raundit të parë të Europa League. Tre gjyqtarë kryesore dhe 6 asistentë do të përfaqësojnë futbollin tonë në arenën europiane. Kështu Lorenc Jemini do të jetë gjyqtar kryesor në sfidën Botosan-Tkshinvali që do të zhvillohet në Rumani më datën 2 Korrik në orën 19:00. Asistentë të tij do të jenë dy gjyqtarë me stemën e FIFA-s, Ermal Barushi dhe Gernard Qirici. Ndërkohë një orë më vonë në Slloveni do të zbarkojë një tjetër treshe gjyqtarësh nga Shqipëria me kryesor Enea Jorgjin dhe asistentë të tij Redi Avdo dhe Denis Rexha. Kjo skuadër do të vendosë drejtësi në sfidën Celje – Slask që do të startojë po të enjten e 2 Korrikut në orën 20:00.Ndërkohë formacioni i fundit i gjyqtarëve të kampionatit shqiptar do të zbresë në fushë të enjten e 9 Korrikut. Bardhyl Pashai do të jetë gjyqtari kryesor që do të marë përsipër në dorë fatet e sfidës së kthimit midis Slovan të Bratislavës dhe Europa College, një skuadër që përfaqëson Gjibraltarin në këtë kompeticion. Asistentë të tij do të jenë Ergin Doda dhe Enea Pashai, në sfidën që është parashikuar për t’u luajtur të enjten e datës 9 korrik teksa mbetet për t’u vendosur orari i sfidës. Në këtë mënyrë Kategoria Superiore përfaqësohet me tre ekipe futbolli në Europa League dhe tre skuadra të vogla gjyqtarësh, një tregues i rritjes së ndjeshme që ka pësuar futbolli edhe në vendin tonë.