Futbollistja e Sporting de Huelva-s, Elena Pavel, ka thënë se një arbitër e ka ftuar atë për kafe në mes të ndeshjes. Gjatë takimit të fundit të Huelva-s, arbitri Santiago Quijada Alcon mësohet t’i ketë thënë 31-vjeçares nëse kishte dëshirë të pinte një kafe me të.

Sipas futbollistes, këto kanë qenë fjalët e gjyqtarit: “Hej bukuroshe, hajde dalim për kafe sot pasdite.”…. “Pas këtij momenti, kam humbur besimin te futbolli dhe te ‘fair play’”, ka thënë ajo pas këtij episodi. “Ndihem e pafuqishme dhe e poshtëruar. Në gjithë vitet e kaluara duke luajtur futboll nuk jam ndier kurrë kaq keq”.

Pavel e ka refuzuar ofertën e arbitrit dhe më pas ka parë dy lojtare të ekipit të saj që janë ndëshkuar me karton të kuq dhe një penallti e pastër që i është mohuar ekipit të saj, që është mundur me rezultatin 3-2. Sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, mbrojtësja rumune nuk do të bëjë një denoncim sepse “është fjala e saj kundër fjalës së tij”.