7 tetor 2014– Ditët pas Juventus-Roma nuk janë aspak të qeta për Gianluca Rochi-n. Arbitri që përfundoi në qendër të polemikave është përpjekur të qetësohet disi duke kaluar kohën me familjen e tij në Firence, ku ju paska treguar disa miqve të tij versionin e tij për episodet e shumëdiskutuara. Është një version që mbetet për tu verifikuar, duke qenë se dy të përditëshme italiane, “Il Messagero” dhe “Il Tempo”, bëjnë rindërtime të ndryshme që kanë jo pak ndryshime. Sipas “Il Messagero-s”, Rochi ka thënë se gabimi i tij i vetëm ka qenë penalltia që akordoi për Pogba, ndërsa sipas “Il Tempo” arbitrit i ka mbetur peng penalltia që dha në dëm të Maicon për të cilën qenka shprehur se, “ më tradhëtoi spray që përdoret për distancën e goditjeve të dënimit”.
Me pak fjalë nëse Rochi ka dhënë dy interpretime të ndryshme dy të njohurve të tij të ndryshëm, ekziston dyshimi se duan që t’i atribuojnë deklarata që nuk janë të tijat, thjesht sa për të publikuar një pranim të fajit i cili nuk do të zyrtarizohet kurrë. Kjo edhe sepse, duke u bazuar te ajo që tregon “Il Messaggero”, Rochi nuk ishte dhe aq i sigurt se ka bërë një gabim që i dha penalltinë e dytë Juves, me gazetën që jep këtë deklaratë të arbitrit, “ Nëse kam gabuar, kam bërë vetëm një gabim, kur akordova penalltinë e tretë. Madje nuk jam i sigurt nëse kam parë keq, pasi as imazhet e përsëritura në televizon nuk janë qartësuar”. Gazeta tjetër, “Il Tempo”, nënvizon se arbitri është ankuar edhe për sjelljen e lojtarëve dhe kolegëve të tij duke u shprehur, “ Lojtarët në fushë nuk më ndihmuan. Gjëja që më lëndoi më tepër? U ktheva në një të papërshtatshëm për të njëjtët njerëz që do të më donin që të arbitroja në botëror”.





