Pjesa më e madhe e poezive të tij i kushtohen dashurisë, ndjenjës më të fuqishme në botë, që përmbys dhe ndërton gjithçka, ndjenjës që ushqen shpirtin dhe i dhuron krahë atij. Si një romantik i pakorrigjueshëm Omeri kërkon të shkrihet për ndjenjën, t’i dhurojë të dashurës gjithçka e në të njëjtën kohë të bëjë të tijin shpirtin e saj. Vetëm kështu është e plotë dashuria sipas tij.

“Zhgënjimi i Adamit” është vëllimi më i fundit me poezi i botuar nga poeti Ardi Omeri. Brenda një harku kohor prej 6 muajsh Omeri vjen para lexuesit me poezi të reja që ashtu si ato të librave të mëparshëm përshkohen nga tema e dashurisë, nga zhgënjimet dhe brengat që ajo sjell, por njëkohësisht edhe nga ato kënaqësitë fluturake që nuk vazhdojnë gjatë, por që prapëseprapë lënë gjurmë në shpirt. Pas vëllimit të botuar në 14 shkurt, ditën e të dashuruarve, Omeri vjen sërish me një poezi të ngrohtë, dedikuar ndjenjës dhe sensualitetit duke synuar ndoshta padashur të marrë epitetin poeti i dashurisë. Pjesa më e madhe e poezive të tij i kushtohen dashurisë, ndjenjës më të fuqishme në botë, që përmbys dhe ndërton gjithçka, ndjenjës që ushqen shpirtin dhe i dhuron krahë atij.

Si një romantik i pakorrigjueshëm Omeri kërkon të shkrihet për ndjenjën, t’i dhurojë të dashurës gjithçka e në të njëjtën kohë të bëjë të tijin shpirtin e saj. Vetëm kështu është e plotë dashuria sipas tij. Por, ashtu si të lartëson, ndjenja edhe të gropos kur ajo merr fund apo nëpërkëmbet. “Çdo dashuri është e re dhe ka çastlindjen e saj, sikur ka edhe çastshuarjen e saj”,- thotë Mimoza Erebara në parathënien e vëllimit të dytë me poezi të Ardi Omerit “Puthma shpirtin”. E tillë është dashuria e Omerit, që megjithëse në vëllimin e fundit duket e lënduar, ka ende forcë për të bërë përpara, për të shijuar sërish çastlindjen e saj.

Ushtaraku që i binte kitarës

Poezinë Omeri duket se e ka gjetur vonë, ose më mirë vetëm 3 vjet më parë publikoi për herë të parë një vëllim me poezi. Ndërsa ndiqte shkollën e mesme “Skëndërbej” shumëkush nga rrethi i tij familjar mund të mendonte se në të ardhmen do të kishin të bënin me një ushtarak. Por kur e njeh nga afër Ardin kupton se mes shumë gjërave të cilat mund të jetë i prirur të ndjekë, ushtaraku është një gjë që shkon përtej natyrës së tij. Disiplina, rregulli, një jetë strikte etj duket se nuk bëjnë për të. Me një shpirt pak prej bohemi, gjithnjë në kërkim të dashurisë së fuqishme, asaj që të përfshin të gjithin e ku gjithnjë rrezikon të mbetesh i lënduar, Ardi, ashtu si edhe në poezitë e tij, tenton të gjejë një ekuilibër mes ndjenjës dhe realitetit. Megjithëse kur ishte adoleshent ndiqte shkollën ushtarake, disiplina dhe normat strikte nuk bënin për të.

Kur ishte student ai shprehet se në kohën e lirë, së bashku me disa shokë i gjeje në kodrat e liqenit duke i rënë kitarës dhe duke kënduar. Me muzikën kishte rënë në kontakt që herët, që në shkollë 8 vjeçare, kur nën drejtimin e mësuesit Rifat Deda ndiqte kursin e fizarmonikës. Gjithsesi kitara mbetej vegla e preferuar prej tij dhe për këtë arsye nis ta mësojë megjithëse e pranon që është thjesht një instrumentist amator. Krahas kitarës i pëlqente edhe të këndonte. Në ato vite së bashku me shokët Kristaq Koçi, Armand Tirana, Tole Radoja etj do të këndonin këngë si “Do t’i kërkosh dy sytë e mi”, “Mallkova perëndinë”, “Stela” etj. Taraca e Pallatit të Rinisë të atyre viteve ishte skena ku ata improvizonin për vete po dhe për shumë spektatorë që i ndiqnin me entuziazëm. Mos harrojmë se bëhej fjalë për vitet ’80 dhe ende pushteti i asaj kohe ishte i fuqishëm dhe veprime të tilla edhe mund të keqinterpretoheshin ose të cilësoheshin si sjellje të huaja. Shokët i kishin vënë nofkën Zhyl Vern për shpirtin e tij të aventurës, gjithnjë në kërkim të eksperiencave të reja. Zhyl Verni mbetet ende një nga autorët e preferuar për Omerin. Duket se shpirti i aventurës vijon të jetë i gjallë brenda Ardit, duke e trazuar herë pas herë ashtu si ndjenja e dashurisë, bashkëudhëtare e kahershme e tij.

Në vitet e demokracisë

Ashtu si dhe shumë durrsakë të tjerë në vitet e para të demokracisë Omeri iu drejtua vendit fqinjë, Italisë. Në vitet 89-94 ai ishte pjesë e marinës detare shqiptare duke qenë kështu në kontakt të vazhdueshëm me detin, pjesë e pandarë e shumë poezive të tij. Pasi provoi edhe emigracionin Omeri do të vendoste të kthehej përfundimisht në Durrës. Ndërsa e ka parë veten si bashkëadministrator i të parës kompanie turistike detare shqiptare, “Qielli i Mesdheut”, kryeredaktor i revistës “Durrësi Market” (ku reklamat për biznese të ndryshme ndërthureshin me poezitë), menaxher i shtypshkronjës “Milleniumi i ri” apo redaktor librash e moderator emisionesh televizive Ardit i pëlqen të theksojë se lidhja me poezinë ka qenë e fortë dhe e ka shoqëruar në të gjitha këto angazhime të tij. Një rëndësi të veçantë ai i ka kushtuar redaktimit të librave të letrarëve të rinj, mes të cilëve, siç thotë dhe vetë, ka emra që ia vlen të promovohen ashtu siç ka dhe të tjerë që reklamohen pa pasur merita apo lidhje të veçantë me poezinë. Duket se redaktimet e nxisin shpirtin e tij prej poeti dhe këtë gjë e bën me shumë kënaqësi.

Zhgënjimi i Adamit

“Zhgënjimi i Adamit” është në fazën e fundit të botimit dhe shumë shpejt do të jetë në duart e lexuesve. Megjithatë, shumë prej poezive të tij nuk do të jenë të panjohura për shumë nga fansat e Omerit. Një pjesë të mirë të krijimtarisë së tij ai nuk nguron ta publikojë e ta ndajë me shokët apo miqtë, të njohur e të panjohur në rrjetet sociale. Duket se krijimin e tij më të fundit ai nxiton ta publikojë duke dashur ta ndajë përjetimin dhe ndjenjën e momentit me shumë shokë e miq, të vjetër e të rinj. I lindur ndoshta prej një zhgënjimi dashurie duket se zhgënjimi i Adamit, është njëkohësisht edhe zhgënjimi i Ardit. Po pavarësisht se sa personale mund të jetë poezia e tij ajo arrin të përgjithësojë dhimbjen dhe brengën e shpirtrave të dashuruar, arrin të transmetojë lëndimin që i bëhet dikujt që dashuron, por që shpërfillet nga ai që mendonte se ishte shpirti binjak.

Libri i jetës

Një ditar personal në shqip dhe italisht duket se është libri i jetës, siç i pëlqen ta quajë Omeri këtë vepër që mban në duar tashmë prej shumë vitesh. Është një libër që ndoshta do ta shohë vonë dritën e botimit, sepse siç shprehet vetë Ardi “do ta botojë kur të mos i vijë më turp nga vetja”. Ne nuk kemi luksin t’i fshijmë gabimet e së shkuarës dhe është pikërisht kjo e shkuar që megjithëse shumë prej nesh përpiqemi ta harrojmë, ajo, kryeneçe ngre sërish krye dhe nuk na lë të qetë. Ndërkohë një tjetër aventurë e Omerit duket se do të jetë sfida e re që ai do t’i vërë vetes, pjesëmarrja në një nga festivalet e fundvitit. Megjithëse kërkon ta mbajë ende surprizë këtë gjë, Ardi tregon se tashmë e ka zgjedhur tekstin e këngës me të cilën do të përfaqësohet, ndërkohë që muzika do të realizohet nga Joe Ardit Fejzo. Me këtë rikthim në këngë, Omeri kërkon me sa duket të rikthehet edhe njëherë pas në kohën e rinisë, kur me një kitarë dhe një grup shokësh improvizonin koncerte në natyrë. 


 

Vëllimet me poezi

I munduri i natës               2009

Puthma shpirtin                  2011

Skalitur me buzë shpirti   shkurt 2012

Zhgënjimi i Adamit          korrik 2012


 

S’DUA HËNË MË TË BUKUR SE TY!

Kur të pashë tek vallëzojë në ecje
Ndjeva në shpirt dhjetëra melodi
Zgjata dorën e zemrës, 
dhe mora një të bukur si ti!

Në pentagram me afsh pasioni
Ndërtova një mantel të purpurtë
Me nota të bekuara dhe prej Zotit
Krijova një të denjë për ty, një të kuq!

Në një vals kurrë kërcyer më parë të ftova
Me lëvizjet që vetëm zemra na mëson
Tek kërceja një këngë shpirti këndova
Pëshpërisja në gushë e buzë është kënga jonë

Zemra ime, kënga ime
Ti je e vetmja melodi
Ëndrra ime, jeta ime
Ndriçomë të lutem në përjetësi!

Lëri yjet që të shndrijnë mbi supe 
T’më shkëlqejnë kur jam me ty
Merre Hënën dhe hidhe tutje
S’dua tjetër më të bukur se ty

Marrë nga vëllimi “Zhgënjimi i Adamit”