TIRANE, 18 dhjetor 2013 – Moderatori Ardit Gjebrea ka kaluar një moment tejet të vështirë gjatë transmetimit të emisionit të tij "E diela shqiptare". Për shkak të lodhjes së madhe fizike, ai është ndjerë keq dhe përpara se të kalonte në gjendje të fikëti 'live', është detyruar që të ndryshojë në moment skaletën. Emisioni është ndërprerë më herët se zakonisht dhe Arditi ka mundur të çlodhet. Pas shqetësimit të ndjekësve të tij, Arditi ka bërë një sqarim mbi gjendjen e tij shëndetësore në profilin zyrtar të "Facebook", duke thënë se ka nevojë të pushojë.

"Dhe lodhja këtë herë më mundi… Të dielën, për ata që e panë dhe e ndoqën, nuk e përfundova dot programin. Shkak, tensioni i lartë. 

Rreth 20 minuta torturë, djersë, ujë në djersë, energjia po shteronte, zëri po fikej dhe gjithçka në kolaps… Jo sipas radhës që duhej, u ktheva nga komisioni i Telebingos dhe thashë: Fillojmë nga loja! – dhe kuptova që nuk mund të luaja me veten, u dorëzova! Në fakt kisha një javë që po bëja 'sherr me binjakun tjetër' (meqë jam i shenjës binjakët) që kish nevojë për pak pushim e unë nuk e dëgjoja. Bela e madhe kur nuk ia var vetes. Dhe BAM, ma dha! Po u tregua i mirë, thjesht më paralajmëroi. Asgjë serioze, por që duhet marrë shumë seriozisht. Në të kundërt nuk do më falë më. E kam bërë këtë pakt tashmë: 1. Jo orë të pafundme pune. 2. Ushtrim fizik. 3. Kur Zoti e ka dhënë pushimin, e paska pasur fjalën edhe për mua. Përtej shakave, e pata vërtetë pisk, por faleminderit Zot, se me atë tension, hmmmm… Kjo ishte! Shpresoj me aq dhe faleminderit të gjithëve që u interesuat për mua. Zoti ju dhëntë shëndet e jetë!", shkruan Gjebrea në "Facebook".

/ Gazeta Shqiptare /