Teuta ka vijuar edhe dje me dy seanca stërvitore, ku trajneri Magani dhe stafi i tij po mundohen që ta përgatisin ekipin sa më mirë për ndeshjen me Laçin. Përveç ngarkesës fizike dhe ushtrimeve të ndryshme, durrsakët kanë zhvilluar dje edhe një ndeshje kontrolli brenda grupit. Lojtarët e Teutës janë optimistë, si dhe po punojnë shumë që të jenë në formë për ndeshjen e së shtunës. Mesfushori Ardit Hila nuk u aktivizua në ndeshjen e fundit në Shkodër, pasi ka qenë i dëmtuar. Elbasanasi i Teutës pohoi se rikuperimi i tij ka ecur mirë dhe pret që të jetë i gatshëm për ndeshjen me Laçin. Më tej, ai shton se nuk duhet nënvlerësuar kundërshtari, por duhen respektuar për atë çfarë kanë dhënë në ndeshjet e fundit.

“Riaftësimi i dëmtimit të fundit ka ecur mirë dhe them se do të jem i gatshëm për ndeshjen me Laçin. Thuajse e kam kaluar plotësisht problemin dhe dua të jap kontributin tim për takimin e radhës. Nëse do të jem apo jo pjesë e skuadrës mbetet për t’u parë deri ditën e ndeshjes dhe në fund është trajneri ai që vendos. Po stërvitem fort me grupin që të jem në dispozicion të ekipit. Po përgatitemi siç duhet për këtë ndeshje, e cila për ne është shumë delikate.Nuk dua të merrem me fjalë, por unë dhe ekipi jemi të fokusuar te puna në fushën stërvitore, në mënyrë që të japim më të mirën ditën e ndeshjes me Laçin. Shikoj që e gjithë skuadra është e motivuar dhe me dëshirë të madhe në stërvitje, me shpresën për të mos e diskutuar fitoren ndaj kurbinasve. Nëse luajmë siç na kërkon trajneri, pa dyshim që në fund të ndeshjes ne do të festojmë”,- u shpreh mesfushori elbasanas i Teutës, Ardit Hila.