21 nëntor 2015 – Djemtë e detit po shijojnë fitoren e arritur në Reshit Rusi të Shkodrës ndaj Vllaznisë që këto javë vetëm emrin ka pasi nuk po kalon një periudhë të mirë. Mesfushori i Teutës Ardit Hila tregon se ishte një ndeshje e vështirë pasi dhe terreni i ndërlikoi gjërat. Dhe se ekipi mund të shënonte golin e dytë apo të tretë ashtu siç Vllaznia mund të barazonte në fund. Për mesfushorin ishte një fitore e rëndësishme pasi edhe kundështari zhvilloi një lojë mjaft cilësore:

“E mbyllëm me sukses ndeshjen me Vllazninë dhe morëm tre pikë që na shërbejnë shumë, ishte një ndeshje e vështirë pasi dhe ekipi shkodran ishte i motivuar për të marrë pikë nga ai takim. Ne kishim raste të shumta dhe shpërdoruam shumë pasi rezultati mund të shkonte dhe 3-0, por ekipi i Vllaznisë mund të na barazonte në fund.  E rëndësishme është që morëm tre pikë dhe pse luajtëm në një terren jo shumë të favorshëm ne treguam që e kishim vlerësuar këtë ndeshje dhe udhëtuam për në Shkodër me synimin e vetëm për të marrë tre pikë dhe ja arritëm.

Dhamë më të mirën tonë ishim impenjuar gjatë gjith javës në stërvitje dhe në fund ai impenjim u shpërblye me fitoren e arritur në Shkodër. Merita është e gjithë skuadrës për këtë fitore, dhe tek Teuta shikohen pikët e marra. Tani duhet të fokusohemi te ndeshja e rradhës që kemi me Kukësin pasi fitorja me Vllazninë kaloi, duhet të kemi përqendrimin tonë të kundështari i rradhës që është ekipi verilindor. Forca e ekpit kuksian është më e madhe se ajo e Vllaznisë pasi ka lojtarë me kualitete në organikë. Por ne nuk e shikojmë këtë aspëkt pasi përgatitemi për rezultat pozitiv ndaj cdo kundështari pavarësisht emrit që ka, ne bëjmë detyrën tonë dhe kjo na e bën më të lehtë.”

/portali DurresLajm/