Policia italiane ka arrestuar dy shtetas shqiptarë në Parma të cilët posedonin 4 kilogramë heroinë. Lajmi është bërë i ditur nga mediat italianë që shkruajnë se heroina do të shpërndahej gjatë festave. Evidentimi i dy trafikantëve shqiptarë u bë pas disa hetimeve, që përfunduan me operacionin e arrestimit të Ardit Milaqi, 20 vjeç dhe bashkëpunëtorit të tij, Viktor Shkurti, 35 vjeç, shkruan abcnews.

Milaqi u arrestua teksa dilte nga banesa që trafikantët e përdornin si bazë, ndërsa Shkurti u ndalua në brendësi të banesës. Gjatë kontrollit të bazës, policia sekuestroi 8 pako heroinë me vlerë 120 mijë euro. Mediat nuk kanë bërë të ditur se nga vinte heroina.