Ardit Gjebrea ka bërë sot një rrëfim të ndjerë për humbjen e njërit prej shokëve të tij fëmijërisë. Miku i tij me emrin ‘Artist’ e paralajmëroi të mos komentonte asgjë lidhur me televizionet e huaja. Arditi tregon se u habit kur mësoi se shoku i vet i ngushtë, ishte një bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, pasi i ishte imponuar me dhunë të firmoste një dokument që e detyronte të raportonte veprimet e konsideruara propagandistike. Këtë histori të jetës ai e ka ndarë në Facebook, ku shkruan:
'Dikur, në vitet '80 e vetmja dritare me ajër ndryshe për shqiptarët, ishte televizioni italian. Fshehurazi, me antena punëdore, shihej "me miza" (siç i thonin dikur) kanali TV që të mbushte me muzikë, sport, filma etj.
I prirur nga muzika, kur mbaronte San Remo, të nesërmen në shkollën e mesme, sapo filluar, komentoja me pasion ç'kisha parë në TV dhe riprodhoja këngët që mbaja mend.
Kështu kaloi pak kohë dhe një ditë, një shok i shkollës, më tërhoqi mënjane e më thotë: "Eja të të përcjell në shtëpi".
Ishim vetëm 16 vjeç kur nisi të më thotë: "Të lutem mos komento më për TV italian, të lutem mbylle gojën se po më merr ne qafë".
U çudita, pasi ishte një ndër shokët e mi të mirë. Po nuk e la çudinë time të pakej kur shpërtheu: "Unë nuk kam faj, por më detyruan të firmos dhe jam bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit".
Filloi të më tregojë se si e kishin detyruar në rrugë të ndiqte dikë, e kishin futur në një shtëpi përdhese dhe me detyrim, duke qenë se Partia kish nevojë për informata të njerëzve që nuk e donin, ai duhej të raportonte çdo muaj, për njerëzit që propagandonin kundër regjimit.
Nuk i besoja veshëve!
Nuk fola. Që nga ajo ditë "artisti" (kështu e kish pseudonimin) më tregonte se si të pakënaqur nga raportet e tij, e kishin edhe rrahur keq, sepse nuk i spiunonte shokët. Dhe ishte një djalë shumë i mirë vërtetë.
Nuk i bëri asnjëherë kujt keq, por me ndërrimin e sistemeve, ajo firmë adoleshenti e bëri gjithsesi të ndihej keq dhe iku. Iku jashtë vendit, sepse nuk duronte dot turpin dhe bënte çdo lloj pune për të mbajtur familjen e tij.
Mora një lajm të hidhur… "Artisti" na ka lënë… pa u bërë dot kurrë artisti që ëndërronte, për të na lënë ne të vijonim rrugën, sepse mund të na kish bërë gjëmën dhe kush e di ku mund të ishim me këngët italiane që këndonim atëherë, si shumë e shumë të tjerë.
Dhe teksa po bekoja shpirtin e tij sot, mendova gjithë ata "te zellshëm" që në atë kohë dërguan sa e sa nëpër burgje apo në internim për agjitacion e propagandë dhe sot, pa i vrarë ndërgjegjja, duke ditur që dosjet nuk do hapen ndonjëherë, kush e di ku i kemi?! Në ndonjë vend pëllumbash, ku prapë ndoshta bëjnë keq, në ndonjë biznes privat ku me njohjet e tyre bllokojnë të tjerët me konkurrencë të pandershme, në ndonjë auditor ku japin leksione edhe morali etj, etj, etj.
Dhe ata janë të sigurte nën ombrellën e jomoralit dhe mosguximit të sistemit që dosjet nuk i hap, por edhe mund t'i kenë zhdukur nga frika e ndonjë kasaphane kolektive. Kush e di ku e kanë gjetur pasqyrën magjike që "mbron" ndërgjegjen inekzistente!
"Artisti" iku në paqe me veten dhe me ne, për të lënë pas sa e sa firma që si kuçedra ende jetojnë me panginjen e të keqes.
Paqe aty ku je, miku im i mirë!'