TIRANË – Vajza e kryeministrit Berisha, Argita Malltezi (Berisha) ka reaguar sërish sot lidhur me akuzat e deputetit të Partisë Socialiste Taulant Balla. “I dalë boje nga mashtrimet 13 ditore mbi të ardhurat tona dhe burimin e tyre, tellalli i paguar i Ramës doli sot për gënjeshtrën e radhës, të cilën e ka përtypur pa sukses dhe para fushatës elektorale të 4 viteve më parë”,- shkruan vajza e kryeministrit në deklaratën e saj shpërndarë mediave, ndërsa sqaron se çdo e ardhur e fituar është deklaruar në ILDKP dhe organe tatimore dhe tatuar sipas ligjit.
Me tej znj.Malltezi shkruan se “Z.Rama e kupton shumë mirë dallimin midis ligjshmërisë dhe deklarimit të burimit dhe fshehjes së burimeve siç bën e shoqja, por zgjedh shpifjen politike sepse standarti i z.Rama është fshehja e pasurisë së tij dhe shpifja, ndërsa thekson se do të japë gjithmonë sqarime për transparencën e të ardhurave dhe burimeve të tyre, duke mos patur asgjë për të fshehur. Në deklaratë, vajza e kryeministrit shton se ndryshe nga z Rama, ku bashkëshortja e tij deklaron në mënyrë zyrtare se ka marrë pa interes 100 milionë nga një dhurues anonim, pasuria e tyre, është konform ligjeve në fuqi, gjë kjo e faktuar edhe nga institucionet kompetente”,- përfundon deklarata e Argita Malltezit.