TIRANE – Vajza e kryeministrit Berisha, Argita Malltezi, ka akuzuar sot kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, se po dirigjon sulmet politike të opozitës mbi të e familjarët e saj, duke iu referuar kështu deklaratave të deputetit Balla.
Argita Malltezi deklaron se pasuria e saj është e ligjshme dhe e deklaruar, ndërsa shton se bashkëshortja e Ramës fiton më shumë se ajo nga mësimdhënia në universitete.
“Sot Rama vijoi sulmet politike me spekulimet e radhës për të ardhurat tona të fituara në mënyrë të ligjshme dhe të deklaruara pranë organeve shtetërore me transparencë të plotë. Ky njeri i zhveshur nga çdo normë dhe moral njerëzor shpif çdo ditë, manipulon, mbledh e shumëzon për të gënjyer përsëri, në lidhje me të ardhura të cilat janë fituar me aktivitet profesional, kërkimor-shkencor, botues dhe mësimdhënës në universitete private; në të njejtat universitete ku shumë më të paguar se ne, janë disa nga deputetët socialistë, përfshirë dhe bashkëshorten e tij, Linda Basha”,- thuhet në reagim.
Sipas saj, “Rama që shpif e trillon prej 10 ditësh nuk paraqet dot as edhe një fakt të vetëm për ILDKP, prokurorinë apo gjykatën. Të gjitha të ardhurat tona janë fituar pa asnjë konflikt interesi, janë derdhur në rrugë bankare, e pra, tërësisht transparente; për to janë paguar tatimet në çdo qindarkë, janë bërë deklarimet përkatëse në organet tatimore dhe ILDKP dhe janë kontrolluar periodikisht nga këto institucione. Ai mendon se mund të mashtrojë shqiptarët duke bërë vetë rolin edhe të paditësit, edhe të gjyqtarit, edhe të jurisë, edhe të ekzekutuesit”,- theksohet në deklaratë.
Ndër të tjera vajza e kryeministrit thekson se, kryesocialisti që deklarohet si i pastrehë ka mundësi të kalojë pushimet dimërore në hotelet më të shtrenjta të Europës, ku sipas saj vetëm një natë kushton 2500 euro.
“Ky mashtrues ordiner, për të cilin janë hedhur akuza direkte publike për korrupsion më shumë se për asnjë person tjetër në Shqipëri, ka deklaruar vetëm 3000 dollarë kursime për 13 vite në pushtet si ministër Kulture dhe kryetar bashkie; është deklaruar si i pastrehë, ndërkohë që prej një jave ka nisur pushimet e dimrit, i strehuar në hotele luksoze nga ku dirigjon fushatën e shpifjeve të ulëta. Z.Rama tregoju shqiptarëve se me çfarë parash udhëton për pushime luksoze në hotele të cilat siç është bërë publike nga një e përditshme, janë më të shtrenjtat e Europës dhe Gjirit Persik, ku një natë nuk është më pak se 2500 euro”,- përfundon deklarata.