Tiranë, 16 maj 2014 – Akuzoi për disa muaj me radhë kryeministrin Edi Rama për vilën në Dajt dhe pallatin 5-katësh në Tiranë, por e bija e tij duhet të përgjigjet para drejtësisë për një ndërtim të paligjshëm në Gjirin e Lalzit si dhe për mashtrim me deklaratat e pasurisë.
E bija e Sali Berishës, Argita Berisha, disponon një vilë përrallore në Gjirin e Lalzit, vilë e cila nuk reflektohet e plotë në deklaratat e përvitshme të pasurisë, të dorëzuara në Inspektoriatin e Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, raporton gazeta “Sot”.
Argita Berisha ka deklaruar vetëm gjysmën e vilës, me një vlerë prej 50 mijë eurosh, kur në të vërtetë vila, ka një vlerë rreth 1milionë euro. Por, ky është vetëm një dimension i skandalit. Vajza e Sali Berishës, Argita Berisha, ka ndërtuar në mënyrë të jashtëligjshme në Gjirin e Lalzit. Vila e Argitës është ndërtuar në kundërshtim me planin e fshatit, ku ndodhen vilat e pushtetarëve shqiptarë.
Sipas burimeve të gazetës “Sot”, në dosjet për pasuritë e paluajtshme të fëmijëve të ish-kryeministrit Berisha, rezulton se vila e Argitës është një kat më tepër nga sa është parashikuar në plan.
Po ashtu, vajza e Sali Berishës, i ka bërë disa shtesa vilës, shtesa të cila jo vetëm janë të paligjshme, por nuk janë reflektuar në deklaratat e pasurisë. Ndërkaq, vlera e vilës së Argitës nuk justifikohet kurrsesi me të ardhurat e saj, të deklaruara në deklaratat e pasurisë.
Sipas burimeve, vlera e vilës është të paktën 10 herë më e madhe nga shifra e deklaruar nga Argita në deklaratat e pasurisë. Inspektorët e Inspektoriatit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive dhe përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, tashmë kanë dokumentuar të gjitha paligjshmëritë rreth pasurive të paluajtshme të familjes Berisha.
Ndërkaq, në ditët në vijim, pritet një denoncim publik nga ana e institucioneve ligjzbatuese dhe përfaqësuesve të mazhorancës rreth dyshimeve dhe paligjshmërive që fshihen pas vilës së Argitës.
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, denoncoi dje një shtesë të paligjshme në vilën e Argita Berishës. Madje, Balla pohoi se protesta është organizuar edhe për largimin e vëmendjes nga ndërtimi i një kati shtesë në vilën e vajzës së ish-kryeministrit në Gjirin e Lalzit.
Deputeti Balla paralajmëroi një hetim për pasuritë e familjes Berisha. Balla pohoi edhe një herë se dhëndri i Sali Berishës vodhi klubin e futbollit Partizani, me vendimet e vjehrrit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





